E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka rruge plazhi i Kallmit i shpeton ndotjes

Plazhi i Kallmit gjendet 3-4 km larg qytetit të Durrësit dhe mund të cilësohet si plazhi i vetëm dhe i fundit qe nuk është ndotur si zonat e tjera. Ky plazh gjendet në perëndim të malit të Durrësit dhe për të shkuar aty duhet ndjekur rruga e Currilave.

Rruga është e pashtruar dhe me një autoveturë të ulët është e vështirë për të mbërritur në këtë plazh. Bizneset e para sapo kanë zënë vend në këtë zonë, e cila shquhet për ujin e  pastër dhe për gjire të shumtë. Pushuesit që frekuentojnë këtë plazh janë banorë të qytetit të Durrësit dhe një pjesë e vogël nga Tirana.

“Uji është më i pastër. Më pëlqen më shumë. Rrugët t’i rregullojnë, tualetet dhe dushet. Këto janë primare”-thotë një pushues.

“Plazh që Durrësit i ka munguar për shumë vite. Ne durrsakët s’kemi plazh tjetër. Shkojmë në Currila, por aty është mbushur me kioska. Vetëm ky ka mbetur plazh i bukur për ne. Për durrsakët kjo është e ardhmja, vetëm rruga është pak e vështirë dhe problem mbetet uji”-thotë një tjetër.

“Deti është i mrekullueshëm. Natyra po. Problemi është pak infrastruktura. Por më mirë të themi kështu, sepse ndryshe këtu do të fillonte betonierja, do t’i shkatërronin të gjitha siç është bërë gjithë plazhi i madh”-thotë një tjetër pushues.

Megjithëse rruga është e pashtruar, pushuesit shprehen se falë gjendjes së kësaj rruge ky plazh është ende i pastër, sepse ndryshe ai do të popullohej shumë shpejt me ndërtime të njëpasnjëshme. Bashkia e Durrësit ka deklaruar se vitin e ardhshëm do të nisë puna për ndërtimin e rrugës së Kallmit, e cila mendohet se do i japë një shtysë tjetër zhvillimit të turizmit në këtë zonë.

Aleks Kalemasi                                                            

                     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›