E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm i rremë për tragjedi në minierë

KORÇË - Alarm i rremë për një tragjedi në rrethin e Korçës. Një shaka e hidhur për ditën e verës vuri dje në punë policinë e juglindjes. Alarmi i dhënë nëpërmjet një telefonate se në minierën e Vithkuqit, në një galeri të saj, kanë mbetur të izoluar 20 personave, ngriti në këmbë policinë e Korçës. Forca të shumta policie u nisen me urgjencë drejt komunës së Vithkuqit, rreth 25 kilometra larg Korçës, në afërsi të galerive, të cilat nuk funksionojnë prej shumë vitesh për të nxjerrë jashtë punëtorët “e mbetur brenda” tyre. Mbi 30 forca policie, krerë komunash dhe ish specialistë minierash, dhe 4 ambulanca, shkuan në vendin për ku kishte ardhur sinjalizimi. Nga ana e grupeve të posaçme të kërkim-shpëtimit, u bënë dje kërkime të shumta në të gjitha galeritë e kësaj miniere, por në fakt atje nuk pat asnjë gjurmë njerëzore e aq më pak gjurmë tragjedie. Miniera e Vithkuqit, nuk është në punë prej shumë kohësh dhe një pjesë e galerive nga vinte informacioni se kishte ndodhur tragjedia janë të mbyllura, madje edhe me mure të posaçme për të mos depërtuar në të njerëzit të cilët mund të mbeteshin viktimë e këtyre galerive të nëndheshme. Duke iu  referuar njoftimit që është bërë publik në një televizion, thuhej se kanë qenë 20 burra të zonës së Vithkuqit kanë mbetur në një galeri dhe shumica e tyre mund të kishin vdekur, si pasojë e shembjes së malit. Përveç kërkimeve që u bënë në minierën e Vithkuqit dhe në të gjitha galeritë e saj, kërkimet për të ndaluar ndonjë tragjedi të mundshme, ashtu siç ishte lajmëruar nëpërmjet telefonatës, u zhvendosen dhe në zonën e Ersekës, ku po njëlloj nuk rezultoi asnjë problem në minierat e mbyllura prej vitesh tashmë. Ndonëse gjithçka ka rezultuar false, policia e Korçës, ka nisur dhe një hetim për këtë alarm të rremë për një tragjedi të mundshme, ndërkohë që sipas saj gjithçka mund të jetë bërë si një shaka krejt pa kripë dhe monstruoze e zgjedhur si për ditën e verës. Në fakt, operacioni në tentativë i shpëtimit të policisë së juglindjes ka zgjatur më shumë se tre orë, ndërkohë që janë thirrur specialistë të vjetër të ish minierës së Rehovës në komunën e Vithkuqit, për të orientuar më tepër policinë në kërkimet e saj, të cilat kanë rezultuar me një alarm të rremë. Sipas të njëjtave burime tashmë kërkohet të arrihet tek personi që ka telefonuar në redaksinë e një televizioni në Tiranë, për këtë lloj njoftimi nën pretekstin e ndihmës që kërkonte për bashkëfshatarët e tij, ndërsa më pas nuk ka rezultuar asnjë minator i futur në galeri dhe për faktin se galeritë në fjalë janë mbyllur prej më shumë se një dekade, dhe se ato janë totalisht të izoluara me mure të posaçme mbrojtëse për të mos depërtuar brenda saj njerëz, për të mos mbetur peng i nëntokës. Nga burime policore mësohet se një tjetër provë e bërë për mos qenësinë e kësaj tragjedie është dhe fakti se pas 5 metrash që punonjësit e policisë përshkonin në galeri, aty nuk kishte më valë telefoni, ndaj ishte e pamundur që telefonata ashtu sikundërse u njoftua në fillim, të kishte ardhur nga ndonjë person i mbetur brenda galerive të minierës. Ndërkaq, është duke u zbardhur telefonata anonime e banorit të zonës për të arritur tek ai vetë dhe për të zbuluar shkaqet e kësaj telefonate të frikshme për një tragjedi të pa ndodhur.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›