E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, 4 lojtarë në garë për pushtet

Veton Surroi

Analizë nga Veton Surroi

Një hendek ligjor dhe pushteti ekziston në Republikën e Kosovës, shtetin më të ri të Evropës. Ekzistojnë disa lojtarë aktualisht në fushë dhe që të gjithë garojnë për mandat, të cilët shpeshherë kontradiktojnë njëri-tjetrin. Duke njohur legjislacionin që vjen si derivat nga pakoja e Ahtisarit në një mënyrë të shpejtë, autoritetet e Kosovës kanë ndërtuar një rregull të ri ligjor, të bazuar në shpalljen e pavarësisë. UNMIK-u është ende në Kosovë nën Rezolutën 1244, me një mandat superior sa i përket vendimmarrjes. Ndërkohë, Bashkimi Evropian është mandatuar brenda Rezolutës 1244 që të mbikëqyrë implementimin e pavarësisë së Kosovës, e nga ana tjetër, janë autoritetet e Beogradit, të cilat kanë marrë kontroll të drejtpërdrejtë mbi ato që janë kamufluar deri tani si “institucione paralele”. Nuk ka shtet funksional dhe me pushtet në ato vende që kanë 4 qeverisje në të njëjtën kohë. Kjo gjë u vërtetua më së miri në rastin e Kosovës, kur UNMIK-u dhe institucionet kosovare kishin pushtet të dyfishtë. Kjo gjë nuk mund të kapërcehet kaq shpejt. Interpretimi i rregullit ligjor dhe tendosja e pushtetit do të jenë pjesë e një debati intensiv në muajt që do të vijnë. Serbia e ka kuptuar këtë gjë dhe ka nisur një garë për të krijuar realitete të reja. Brenda tri javësh pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i mbështetur nga Moska, Beogradi nisi ndërtimin e një realiteti funksional dhe bazën ligjore që mohon legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shtetit të ri. Serbia e ka bërë këtë gjë në zonat e banuara prej serbëve, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Objektivi i menjëhershëm i autoriteteve serbe është që të krijojnë të paktën dy forma administrimi në Kosovë. Administrata e parë do të jetë nën institucionet e Republikës së Kosovës, e mbikëqyrur nga ICR/EULEX. Në rastin e dytë, administrata do të drejtohet nga “institucionet paralele serbe”, nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut. Veç kësaj, kjo administratë e dyfishtë do të transferohet në luftën për ligjshmërinë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, duke mbajtur UNMIK-un si përfaqësues ndërkombëtar të saj për ato shtete që e nuk e njohin pavarësinë. NATO-ja e ka kuptuar më së miri këtë situatë. Misioni i Aleancës është kuptuar nga të gjithë: të ruajë integritetin territorial të Kosovës, duke ruajtur kufijtë e saj. Por NATO-ja dhe lojtarët e tjerë e dinë se Aleanca e Atlantikut të Veriut mund të mbrojë Kosovën nga jashtë, por jo nga marrëdhëniet që vendosen brenda saj. Ajo që po përjetojmë është një “ndarje e butë” apo e “zgjatur e Kosovës”. Një ndarje faktike e Kosovës do të ishte një gjenerator negativ për të dyja shoqëritë: atë shqiptare dhe atë serbe. Do të absorbonte energjitë ekonomike dhe politike, veçanërisht në Kosovë, e cila duhet të konsolidohet si një shtet i pavarur. Por ndarja reale e Kosovës ngrihet tani si një tregues i politikës evropiane. Për herë të parë në historinë e saj, Evropa ka ndërmarrë kompetenca të forta dhe pa precedentë për vendosjen e misionit të saj të ri në Kosovë. Nëse misioni i BE-së nuk mund të aplikohet në të gjithë territorin e Kosovës, sepse de fakto pengohet nga Serbia, atëherë do të jetë një veprim i Serbisë kundër BE-së. Dhe nëse ndodh kështu, siç dhe u vërtetua gjatë javëve të fundit, ndërsa prezenca e BE-së në veri të Kosovës hasi vështirësi, atëherë deklaratat e njërës palë apo tjetrës në Serbi do të kenë një rol të parëndësishëm: demokracia në Serbi mund të matet me dëshirën e Serbisë për të pranuar punën e BE-së për mbikëqyrjen e pavarësisë dhe implementimin e planit “Ahtisari”. Nga ana tjetër, nëse paketa e diplomatit finlandez është obligatore për shqiptarët, por jo për serbët, atëherë këto obligime do të rrënohen nga përbrenda. Kështu do të rrënohen edhe politikat evropiane të vendosura në bazë të rekomandimeve të ish- presidentit finlandez. Nëse situata aktuale vazhdon, nëse Evropa nuk i jep përgjigje të forta Serbisë, do të ketë një boshllëk në politikat e përbashkëta evropiane përballë aktiviteteve të Serbisë dhe do të bëhet e nevojshme që SHBA-të të ndërhyjnë për të përcaktuar kufijtë e Serbisë. Nga ana tjetër, nëse Kosova vazhdon të mbajë këtë ritëm të njohjes nga vendet e Botës së Tretë, atëherë rreziku i legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit të ri do të rrezikojë gjithashtu politikën e jashtme evropiane, e cila solli “shpalljen e koordinuar të pavarësisë”. Këto dy shtylla që rrezikojnë Kosovën nga brenda dhe jashtë janë pjesë e politikave të koordinuara serbo-ruse. Por ato nuk kërcënojnë vetëm Kosovën, por edhe kredibilitetin evropian. Autori është ish-lideri i partisë politike të Kosovës “Ora”. Analiza është publikuar në të përditshmen kosovare “Koha Ditore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›