Jo zgjedhje serbe në Kosovë
Prishtina ngre zerin kunder zhvillimit te zgjedhjeve te nje vendi te huaj ne territorin e saj. Pritet sidoqofte nje vendim i UNMIK-ut
Tema e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, në zonat ku banon shumica serbe, është shndërruar tashmë në një çështje të rëndësishme. Për herë të parë, zyrtarë kosovarë dhe ata ndërkombëtarë shprehen zyrtarisht, se këto zgjedhje nuk duhet kurrsesi të mbahen në Kosovë. Kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, nënvizoi dje, se Kosova është një shtet i pavarur, i njohur prej shumë vendeve, ndaj zgjedhjet serbe nuk mund të mbahen në territorin e saj. “Kosova ka shpallur pavarësinë, e cila ka marrë mbështetjen ndërkombëtare, ndaj mendoj se ajo nuk duhet të mbajë zgjedhjet e vendeve të tjera”, - tha Krasniqi, pas takimit që pati dje me kreun e misionit “EULEX”, Yves de Kermabon. Dy ditë më parë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandar Ivanko, tha se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë është i vetmi që mund të organizojë apo thërrasë zgjedhjet në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, vendimi për lejimin ose jo të serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet paralamentare të Serbisë, do të merret pas konsultimeve me shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit dhe qendrën e OKB-së në Nju Jork. Të martën, në një prononcim për “Korrierin”, zëvendëszëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie. tha se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk ka marrë ende një kërkesë nga Beogradi lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë. Vetëm pasi të ketë marrë një kërkesë të tillë, UNMIK-u mund të mbajë një qëndrim zyrtar lidhur më këtë çështje. Ndërkohë. ministri i Jashtëm gjerman, Frenk Valter Shtajnmajer, u shpreh dje për DW, se zgjedhjet serbe nuk duhet të lejohen në Kosovë, sepse ajo është tani një shtet tjetër. Serbët e atjeshëm, sipas tij, duhet të votojnë vetëm në zgjedhjet kosovare. E përditshmja kosovare “Zëri” shkruan se për herë të parë që nga viti 1999, Serbia ka si qëllim krejt hapur të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë, duke injoruar insitutcionet legjitime në komunat e Kosovës të njohura ndërkombëtarisht. Gazeta raporton se kjo gjë bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, për të cilën Beogradi insiston aq shumë që të zbatohet dhe qëndrojë në fuqi.