Alarm në GKA!
Galeria Kombëtare e Arteve shpall konkursin e përfshirjes së gjashtë artistëve të rinj në këtë institucion. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, GKA shpall projektin me titull “Krijimi i Fondit Publik për Artistë Emergjentë në Galerinë Kombëtare të Arteve”, i cili synon krijimin e një perspektive për të ardhmen e artistëve të rinj, ku pas studimeve aspirojnë karrierën në të gjitha drejtimet e spektrit të artit pamor (histori dhe teori arti, kurim aktivitetesh artistike, menaxhim, koordinim, restaurim etj.). Ky projekt do të realizohet mbi bazën e konkurrimit për artistët e rinj, në mënyrë që të arrihet integrimi i më të mirëve mbi bazën e konkurrencës në jetën artistike. Në mbështetje të këtyre të rinjve, me qëllim dhënien e mundësive për të prezantuar aftësitë e tyre, do të shpallen përfitues vetëm 6 të rinj, të cilët do të bëhen pjesë grupeve organizuese në Galerinë Kombëtare të Arteve, sipas nevojave institucionale. Individët, të cilët do të përftojnë këtë shumë, do të përfshihen brenda grupeve artistike të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe do të marrin pjesë rregullisht në të gjitha projektet e planifikuara për vitin 2009, si ekspozita me koleksionin e GKA-së dhe ekspozitat e axhendës së këtij institucioni. Për secilin do të ketë program të veçantë pune të miratuar nga Drejtoria e GKA-së. Aplikimet kanë filluar, ndërkohë që fituesit do të shpallen në qershor të këtij viti.