Vlorë; Gjendet i vdekur në banesë i moshuari 60-vjeçar
Një i moshuar është gjetur i pajetë nga fqinjët e tij në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve policore, 60-vjeçari banonte i vetëm në një banesë njëkatëshe në lagjen “Pavarësia” të qytetit, pas divorcit nga bashkëshortja. Burime policore kanë bërë të ditur se Agim Baraj, 60 vjeç, lindur në fshatin Kuç e banues në Vlorë, jetonte prej kohësh i vetëm. Prej dy ditësh askush nuk e kishte parë 60-vjeçarin, që ndonjëherë punonte si taksist, të dilte nga shtëpia. Kanë qenë fqinjë të tij që kanë shkuar të marrin vesh se çfarë bënte dhe pasi kanë parë makinën e tij të parkuar në oborr dhe dritën e dhomës së brendshme ndezur, kanë trokitur në derën e banesës, e cila ishte e mbyllur nga brenda. Pas kësaj, kanë parë nga xhami i dritares të shtrirë përtokë, përmbys trupin e tij. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shqyer derën e banesës, ku brenda është gjetur trupi i pajetë i Barajt. Ai kishte mbi 48 orë që kishte ndërruar jetë, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrore.