Sikur pallatet e Ramës të ishin pemë?!
Muajt dhjetor dhe janar janë periudha më e përshtatshme për mbjelljen e bimëve, kryesisht atyre gjetherënëse. Kjo periudhë duhet të shfrytëzohet nga të gjitha institucionet, bashkitë dhe komunat për rritjen e sipërfaqes së gjelbër në zonat urbane dhe suburbane në mënyrë të tillë që të rritet cilësia e jetës në qytet dhe të pengohen dukuri të rrezikshme si erozioni apo rrëshqitjet në zonat kodrinore-malore. Ky moment i volitshëm teknik është kapur fort nga z. Rama për ta shfrytëzuar politikisht dhe për të krijuar një imazh të tij si pro-mjedisor. Ai ka rreth 1 muaj që shfaqet nëpër ekrane të ndryshme me lopatë në dorë, duke hapur gropa dhe duke mbjellë pemë në rrugë të ndryshme të Tiranës. Deri këtu çdo gjë është normale, ndërmarrja nr. 1 realizon mbjelljen e disa dhjetëra pemëve dhe kryetari i Bashkisë të Tiranës, njëkohësisht kryetari i opozitës, mundohet të rrisë kredencialet e tij si mik i mjedisit.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Ai është armiku më i madh i gjelbërimit dhe sipërfaqes së gjelbër në qytetin e Tiranës dhe madje edhe në zonat përreth saj. Gjatë vitit 2008 nga bashkia që ai drejton, ishte parashikuar të ndërhyhet në:
1. Rritjen e gjelbërimin në shkolla, kopshte, çerdhe, duke shtuar 5000 m2 sipërfaqe të gjelbër dhe mbjelljen e rreth 3 mijë pemëve të reja.
2. Të krijohet një mjedis sa më tërheqës i Liqenit Artificial, duke e bërë një vend çlodhës për qytetarët.
3. Përmirësimin e shërbimit të mirëmbajtjes së Kopshtit Botanik.
4. Rikualifikimin dhe mobilimin urban të sheshit “Skënderbej”, të sheshit “21 Dhjetori”.
5. Mobilimin urban të Unazës ekzistuese etj., etj.
Por asgjë nga këto planifikime të buxhetit të bashkisë për vitin e kaluar nuk është realizuar, përkundrazi, parku tek Liqeni Artificial është për faqe të zezë dhe është kthyer në një vend ku mblidhen endacaket dhe fatkeqët e Tiranës. Ndërsa Kopshti Botanik dhe ai Zoologjik jo vetëm nuk janë përmirësuar, por mendohet të betonizohen dhe të mbillen me pallate.
Prandaj z. Rama bën mirë që mbjell pemë, por të mos mbjellë pallate në hapësirat e gjelbra të Tiranës. Z. Rama është mik i ngushtë i betonit dhe mund ta përfytyrojmë më mirë si drejtues betoniereje se si kopshtar.
Ai, pa iu dridhur dora në këto 10 vite në krye të Bashkisë së Tiranës ka firmosur betonizimin e rreth 60 ha sipërfaqe të gjelbër në Kodrat e Liqenit; ai, pa iu dridhur dora ka firmosur shkatërrimin e lulishtes te vëllezërit Frashri; ai, pa iu dridhur dora ka firmosur ndërtimet në Lulishten e Namazgjasë dhe tek Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu, në vazhdën e armiqësisë së tij ndaj sipërfaqes së gjelbër së fundi ka firmosur për shkatërrimin e parkut “Rinia” dhe kthimin e tij në një parking gjigand.
Zoti Rama, mbill pemë në vend që të mbjellësh pallate në hapësirat e gjelbra të Tiranës! Veprimet e tij më ngjajnë me atë të hajdutit që vjedh natën dhe qan ditën. Qëndrimi miqësor ndaj mjedisit në qytetin e Tiranës nuk bëhet duke vendosur 10 pemë, por duke ruajtur dhe zgjeruar hapësirat e gjelbra të Tiranës. Sot, kryeqyteti ku jeton rreth gjysma e shqiptarëve sipas Aleancës Qytetare ka vetëm 0.5 m² sipërfaqe të gjelbër për banorë. Një shifër ulëritëse që nuk mund ta gjesh në asnjë kryeqytet botëror; sot nuk shtohet asnjë pëllëmbë sipërfaqe e re gjelbërim në Tiranë; sot çdo ditë dhe më shumë po pushtohen nga ndërtimet pa leje lulishtet dhe parqet e qytetit. Zoti Rama, mbill pemë në vend që të mbjellësh pallate në hapësirat e gjelbra të Tiranës!
Madje, edhe në Planin e Ri Rregullues të Tiranës ai ka parashikuar që një pjesë të madhe të gjelbërimit aktual ta betonizojë dhe ta kthejë në pallate shumëkatëshe. Prandaj unë e akuzoj publikisht Edi Ramën si armikun më të madh të gjelbërimit në Tiranë. Ai nuk mund të lajë mëkatet e shkatërrimit të mijëra m² gjelbërim, duke mbjellë 10 apo 1000 pemë anash rrugëve. Pa hyrë në diskutime teknike që gjelbërimi linear nuk jep kurrë të njëjtin efekt që jep një sipërfaqe lulishteje me bar dhe pemë. Gjithashtu nuk mund të lë pa përmendur se shpenzimet e kryera për gjelbërimin linear janë joefektive, se po mbillen bimë rrapi dekorativ që nuk janë të përshtatshme për rrugë, sepse pas një periudhe kohe ata do të shkatërrojnë trotuaret dhe do të zaptojnë hapësirën. Ndërsa për sa i përket thirrjes së zotit Rama “Një qytetar - një pemë”, duhet të falënderojmë të gjithë donatorët që janë të ndjeshëm ndaj cilësisë së jetës, por nga ana tjetër, duhet të dimë se për çfarë harxhohet taksa e gjelbër që paguan çdo qytetar dhe në xhepat e kujt shkon ajo. Së fundi, dua të them se është më kuptimplote pamja e Ramës me sëpatë në dorë, siç jemi mësuar ta shohim në mandatin e tij të parë sesa me lopatë në dorë, siç po mundohet të shfaqet në mandatin e tij të fundit.