E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm për bombë tek "Alsat", evakuohen punonjësit

TIRANË- Një telefonate për bombë në ambientet e televizionit privat "Alsat", ka vënë në alarm Policinë e kryeqytetit dhe punonjësit e këtij televizioni, të cilët për më shumë se një orë dolën nga ambientet e punës nga frika a shpërthimit të bombës që ishte paralajmëruar. Por gjithçka rezultoi të ishte e rreme, pasi nga verifikimet e agjentëve të antieksplozivit në Policinë e Tiranës, nuk rezultoi të kishte asnjë bombë në ambientet e televizionit dhe përreth tij.


Pas kësaj ngjarjeje reagoi zyrtarisht dhe Policia e kryeqytetit, ku nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bën me dije se telefonata për vendosjen e një sasie eksplozivi në ambientet e televizionit ka mbërritur dje në sallën operative rreth orës 11.15.


Pas kësaj telefonate forca të shumta policie janë nisur drejt adresës së televizionit, ku për një kohë të shkurtër kanë evakuar gjithë stafin e televizionit nga paniku i alarmit fals. Shërbimet e Antiterrorit dhe specialistët antieksploziv pasi mbërritën në vendin ku ishin njoftuar për vendosjen e lëndës eksplozive nisën që të nxjerrin jashtë punonjësit e televizionit.


Sapo godina është boshatisur, specialistët kanë kryer kontrolle në gjithë godinë e televizionit "Alsat", por në fund ka rezultuar se bëhej fjalë për një alarm fals. Nga hetimet paraprake të policisë mësohet se telefonata është kryer nga një kabinë telefoni në kryeqytet, ndërkohë struktura e hetimit të krimit në Policinë e Tiranës, po investigojnë ngjarjen për të identifikuar personin që dha alarmin e rremë.


Në vendngjarje mbërritën dhe drejtuesit e Policisë së Tiranës, dhe pas deklaratës së vetë drejtorit Tonin Vocaj, se alarmi ishte fals, punonjësit e televizionit "Alsat" kanë hyrë në godinë për të vazhduar punën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që janë shoqëruar tre persona të cilët janë pyetur për ngjarjen e djeshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›