Alarm terrorist për Riedin në Izrael, policia merr në pyetje Hamdi Salihin
Sporti shërben për të shpërndarë mesazhet e paqes dhe është përdorur si një mjet i fuqishëm për të krijuar ura lidhëse mes vendeve, kulturave, racave dhe feve të ndryshme. Por, episodi që ka ndodhur përpara ndeshjes ndërmjet Hapoel Tel Aviv dhe Rapidit, e vlefshme për Grupin C të Europa League mund të shkaktojnë një incident diplomatik. Në momentin që kanë shkelur në kryeqytetin izraelit, disa prej pjesëtarëve të skuadrës austriake u detyruan t‘u nënshtrohen kontrolleve të imtësishme të policisë, për shkak se janë besimtarë myslimanë. Me kalimin në aeroport të sulmuesit shqiptar, Hamdi Salihi, mesfushorit austriak me origjinë turke, Jasin Pehlivan, dhe shefit të zyrës së shtypit te Rapidi i Vjenës, Sharif Shukri, u ndezën sirenat e alarmit për terrorizëm. Pavarësisht se ishin pjesë e kontingjentit të një emri të madh në arenën ndërkombëtare, ata të tre u morën për shumë minuta në pyetje nga forcat e policisë, dhe sipas "oe24.at", ndaj tyre u ushtrua "skaneri mysliman". Situata më problematike ka qenë ajo e Sharif Shukrisë: shefi i marrëdhënieve me shtypin ka origjinë egjiptiane dhe mbiemri i tij figuron në listat e terroristëve të kërkuar, prej Shukrive të famshëm që kanë vepruar në Irlandë. Për afro gjysmë orë ai iu përgjigj pyetjeve të autoriteteve dhe më në fund u lejua që të hynte në tokën izraelite. Ngjarja nuk e prishi humorin e Rapidit, që me një fitore sot në Tel Aviv mund të sigurojë kualifikimin në turin tjetër të Ligës së Europës. Megjithë stërvitjen intensive, trajneri Pakult gjeti pak kohë që skuadra të "kulturohej". Rapidi vizitoi "Murin e Vajtimit" në Jerusalem, ndërsa Salihi, Kavlak, Pehlivan dhe Shukri shfrytëzuan rastin që të faleshin në xhaminë "Al-Aqsa".
e. kodheli
e. kodheli