Gurkuf, "jo" parave të Milanit dhe sponsorëve
Paratë nuk janë një prej prioriteteve të Joan Gurkuf. Në vend të përfitimeve materiale, mesfushori i përfaqësueses franceze preferon stabilitetin sportiv. Këto janë arsyet përse 23-vjeçari ka refuzuar të jetë imazhi i një parfumi, por mbi të gjitha nuk i ka vënë veshin interesimit të Milanit. Gjatë verës, vetëm për të thënë pak fjalë përpara telekamerës, Gurkuf do të paguhej një milion euro, por kjo nuk e joshi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ofertat e mbërritura në qershor nga kuqezinjtë, që kërkonin ta blinin nga Bordoja për ta kthyer në "San Siro". "Për ta bindur, Milani përdori paratë, por Joani zgjodhi të luante me vazhdimësi", pohoi menaxheri Pulmair.