E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetë ndeshje pezullim trajnerit Ndreu

Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, është pezulluar për dhjetë ndeshje nga të gjitha aktivitetet futbollistike, pas agresionit ndaj lojtarit kroat të Skënderbeut, Djarmanti. Gjatë takimit të luajtur të dielën, tekniku i krutanëve e ka shtyrë futbollistin në momentin që ai po përgatitej të ekzekutonte një rivënie anësore përpara stolit të skuadrës vendase. Gjyqtari i takimit, Kridens Meta, nuk e ka toleruar reagimin e Ndreut dhe e ka larguar menjëherë trajnerin nga fusha me karton të kuq. Por, edhe më i ashpër ka qenë vendimi i Komisionit të Disiplinës, i cili e ka "kryqëzuar" trajnerin për gjestin. "Për shkelje të etikës sportive dhe gjeste antisportive ndaj një lojtari të skuadrës kundërshtare, trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, pezullohet dhjetë ndeshje dhe gjobitet me 50 mijë lekë të reja", citohej në vendimin e dhënë gjatë paradites së të mërkurës. Vetëm pak ditë më parë drejtuesit e klubit korçar konfirmuan se dy lojtarët kroatë, Djarmanti dhe Rukavina kanë bërë kallëzim në Prokurori për trajnerin, i cili i ka kërcënuar, madje edhe i ka gjuajtur. Nëse Djarmanti u bë viktimë gjatë ndeshjes, në përfundim të 90 minutëshit, Ndreu ka goditur me grusht edhe Rukavinën. Për ngjarjet në ndeshjen Kastrioti-Skënderbeu, me tri ndeshje janë penalizuar edhe zv/trajneri i ekipit korçar, Nikolin Çoçlli, dhe lojtari Gentian Liçi. Ndërkohë, sulmuesi i Tiranës, Migen Memelli, u pezullua dy javë për kartonin e kuq në derbi, pas shtyrjes së mbrojtësit dinamovit, Malakarne. Ndeshjen e parë goleadori i sezonit të kaluar e shleu me sfidën e Kupës, që Tirana luajti me Luzin.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›