Alarme për bombë, arrestohen 2 persona me material eksploziv
Dy persona janë arrestuar dje në Kejp Taun, vetëm pak orë përpara hedhjes së shortit të grupeve për Botërorin 2010, pasi posedonin material eksploziv. I pari është ndaluar në aeroport nga policia, ndërsa personi i dytë, i cili zotëronte edhe një akreditim si gazetar, kishte arritur të futej në sallën e shtypit, duke aktivizuar alarmin për bombë. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 12.45 (11.45 me orën shqiptare), ndërsa qendra për mediat ndodhet fare pranë sallës ku u organizua shorti. Ndërhyrja e zjarrfikësve ishte e menjëhershme: dyert u "blinduan" dhe ndërtesa u evakuua. Të gjithë ata që ndodheshin brenda godinës, gazetarë dhe personalitete që po përgatiteshin për shortin u nxorën jashtë dhe u mbajtën nën vëzhgimin e policisë. Ndërhyrja zgjati afro 20 minuta. Vish Naido, përgjegjësi për sigurinë shpjegoi se nuk bëhej fjalë për një mitoman. Ai konfirmoi se personi, të cilit iu gjend material eksploziv në çantë, u arrestua menjëherë.