E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta "pushton" Krujën, Kastrioti tani në krizë

Teuta bën surprizën në ndeshjen e parë të javës së 13-të në Kategorinë Superiore. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ka marrë maksimumin nga transferta në Krujë, duke mposhtur me shifrat 1-2 Kastriotin. Një fitore shumë e rëndësishme për bregdetarët, që në këtë mënyrë i kanë dhënë fund ecurisë negative pas më shumë se një muaji. Vilfor Hysa dhe Vangjel Mile ishin heronjtë e durrsakëve në këtë ndeshje, rezultati final i së cilës ka befasuar edhe vetë trajnerin Josa. "Jam i habitur nga fitorja e tri pikëve në një ndeshje kaq të vështirë", deklaroi ai. "E kishim vlerësuar maksimalisht sfidën, ishim përgatitur me synimin për të marrë rezultat pozitiv, por të them të drejtën nuk i prisja tri pikët e plota. Më gëzon ky rezultat, pasi skuadra gjeti forca për të hedhur pas krahëve këto momente të vështira dhe me Kastriotin duhej të reagonim pas humbjes në shtëpi me Apoloninë".
Edhe pse shprehet i çuditur nga fitorja, tekniku e kishte menduar një skenar të tillë. Kjo për faktin se një pjesë e madhe e meritave u takojnë pikërisht zgjedhjeve të tij taktike. Edhe pse e përqendruar më së shumti në mbrojtje, Teuta ka qenë shumë e qartë në lojën e saj: ata lanë pak hapësira në fazën difensive dhe kanë përdorur kundërsulmet e rrezikshme. Kjo ishte edhe "arma" që shpërbleu "djemtë e detit" vetëm pas 19 minutave lojë. Pas një topi të gjatë, Vilfor Hysa shfrytëzon shpejtësinë dhe i shpëton mbulimit të Grizhës. I vetëm me Mustafën, lojtari i përfaqësueses U-21 nuk gabon dhe përshëndet rrjetën. Lojtarët e Kastriotit reagojnë dhe hidhen menjëherë në kërkim të barazimit. Rrjeta vjen vetëm pak çaste më vonë, pas devijimit me kokë të Abazajt, por më parë gjyqtari Albano Janku kishte sinjalizuar një pozicion jashtë loje të sulmuesit. Edhe në fraksionin e dytë të lojës, krutanët vazhdojnë të luajnë me qetësinë dhe qartësinë e duhur. Megjithëse kishin shumë minuta lojë në dispozicion, ata hidhen vrullshëm në sulm, duke lejuar shumë hapësira në fazën mbrojtëse. Një situatë që i shkonte për shtat Teutës, që me Vangjel Milen dyfishon rezultatin në të 62-ën dhe mbyll virtualisht takimin. Megjithatë, për të rikthyer Kastriotin në garë mendon Eleandro Pema, që shkurton shifrat vetëm 6 minuta më pas. Një "shkëndijë" që tremb durrsakët, të cilët tërhiqen shumë dhe pësojnë presionin e vendasve. Madje duke rrezikuar edhe tri pikët pas disa episodeve të krijuara në zonën e Vashakut, ku Abazajn shpërdoron në mënyrë të pabesueshme. Me këtë fitore Teuta ngjitet në vendin e pestë, në kuotën e 19 pikëve dhe tashmë ka vetëm një pikë më pak se Apolonia e Tirana. Për Kastriotin kjo ishte humbja e dytë radhazi, e tashmë zona "e ftohtë" është më pranë. Një kthesë e papritur për skuadrën e Ndreut, që vetëm dy javë më parë e shihte veten në garë për një vend në Kupat e Europës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›