E Diel, 1 Nëntor 2026

Artan Minarolli: Shoqatat, zhurmë për interesa personale

Në një kohë që katër shoqata të tjera kanë kundërshtuar që Xhevdet Feri të vazhdojë mandatin si kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike, shoqata e pestë, e drejtuar nga aktori Ndriçim Xhepa, deri më tani nuk ka reaguar, nuk ka përmendur nëse mbështesin rikandidimin e Ferit apo ndonjë emër tjetër të mundshëm. Regjisori Artan Minarolli, anëtar i kësaj shoqate, pjesë e së cilës është edhe regjisori Gjergj Xhuvani, shprehet se ata nuk kanë kompetenca ligjore. Sipas Minarollit, në këtë rast duhet respektuar funksioni shtetëror dhe shoqatat duhet të unifikohen për probleme të vërteta të kinematografisë shqiptare.

Ndryshe nga shoqatat e tjera të kineastëve, ju nuk jeni përfshirë në debatin për kryetarin e Qendrës Kombëtare Kinematografike. Nuk keni një emër për propozim?

Ka një keqkuptim të madh në këtë çështje. Ligji përcakton që kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike vendoset nga Kryeministri, me propozim të ministrit të Kulturës. Mbetet në vullnetin e këtij të fundit nëse do të konsultohet me shoqatat e kineastëve për sa i përket zgjedhjes së kandidaturave. Ky moment keqkuptohet dhe interpretohet sikur kryetari i QKK-së propozohet dhe vendoset nga shoqatat. Përtej kësaj, nëse shoqata jonë do të kishte një kërkesë zyrtare (jemi njoftuar përmes telefonit vetëm për një takim mes shoqatave të kineastëve) për takim në lidhje me propozimin për kryetarin e ardhshëm, atëherë ne do të prononcoheshim. Deri tani ne nuk kemi pasur një kërkesë të tillë dhe di që as shoqatat e tjera. Ky është një funksion shtetëror dhe në këtë rast gjithçka zgjidhet me ligj. Ne po përgatitemi të mblidhemi për përbërjen e bordit të ri të projekteve pranë QKK-së, ku sipas ligjit kemi vendimmarrje dhe duhet patjetër të çojmë propozime. Në këtë rast duhet të gjykojmë me arsye: ka një shtet që duhet respektuar. Unë jam kineast dhe do të vazhdoj të bëj punën, pavarësisht se kush vjen në krye të QKK-së. Një skenar të mirë nuk e pengon dot askush.

Gjithsesi, një drejtues vendos për politikat që do të ndiqen në zhvillimin e kinematografisë...

Ne të gjithë duam që Qendra Kombëtare Kinematografike të përmirësohet, por në vend që të unifikohemi, janë krijuar grupime të çuditshme që më së shumti duket sikur po krijojnë një çarje brezash mes kineastëve dhe një propagandim vlerash të filmave të para ‘90-ës si vlera të padiskutueshme me realizimet e sotme. Mua më vjen shumë keq pse duhet t‘i ngjajmë politikës në kinema. Ne duhet të unifikohemi me njëri-tjetrin si kineastë dhe të godasim aty ku duhet. Do ta na duhej një mbledhje konstruktive për përmirësimin e ligjit "Për Kinematografinë", në përputhje me standardet që kërkojnë realizimet e kohëve të sotme. Por në vend të kësaj, ka grupime që kërkojnë të abuzojnë deri edhe me shijet e publikut.

Pse shoqatat e kineastëve bëjnë zhurmë vetëm kur flitet për ndërrime mandatesh?

Sepse në raste të tilla propozimet lidhen ngushtë me interesa direkte klanore, duke u bazuar në një ndarje të imagjinuar. Mes shoqatave nuk ka biseda konstruktive, ato janë bashkë vetëm kur bëhet fjalë për të diskutuar për kryetarin e pastaj harrohen. Secili do një kryetar sipas midesë së vet, në bazë të miqësive dhe interesave personale që mendohen se mund të përfitohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›