Murinjo: Inter i pari dhe pas Juves
"Juventusi-Inter vlen gjithnjë 3 pikë dhe ne jemi të sigurt që do të dalim nga Torino sërish të parët". Kjo është bindja e trajnerit të Interit, Zhoze Murinjo, në prag të sfidës me Juventusin sot në mbrëmje në Torino. "Kam kuptuar vitin e kaluar se çfarë nënkupton Inter-Juventus, shpjegon portugezi. Por një skuadre i bën mirë të ketë një trajner që është paksa jashtë këtyre emocioneve. Nuk jam italian, e jetoj këtë ndeshje si profesionist dhe besoj se kjo është një gjë pozitive. Është një ndeshje e rëndësishme, edhe pse ka pasur shumë Juve-Inter në histori". "Për mua është një ndeshje për 3 pikët, e njëjtë me atë që kemi fituar kundër Fiorentinës dhe që kemi humbur kundër Sampdorias, thotë ‘Special One‘. Ne jemi të qartë dhe do të dalim nga Torino si kryesues". Është ende herët të bësh parashikime për kampionatin. "Unë zakonisht filloj të mendoj për titullin kur kemi bërë të paktën 50% të rrugës. Inter ka arritur deri në 12 pikë avantazh dhe gjysmë ore para fundit të kampionatit e kishte humbur titullin".