Zvicerjania rrëfen rrëmbimin nga Fotaq Zaharia

Procesi
Dy persona me maska hynë në shtëpinë e çiftit në Poro, duke grabitur lekët, veturën e duke rrëmbyer gruan
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë prokurorisë, pyeti dje në cilësinë e dëshmitarëve të akuzës "viktimat" e vjedhjes dhe rrëmbimit të tyre nga i pandehuri Fotaq Zaharia dhe Ermir Habili me 17 qershor 2001, në fshatin Poro të Vlorës.
Në seancën e djeshme të këtij procesi gjyqësor që drejtohet nga gjyqtarja Nertina Kosova, dëshmuan Sokol Janku, bashkëshortja e tij me shtetësi zviceriane Mariana Janku, e cila u rrëmbye nga të pandehurit si dhe miku i tyre Lazër Bërdalli.
i pari tregoi ngjarjen e 17 qershorit 2001, shtetasi Sokol Janku që rrëfeu se i kishin hyrë në banesë dy të maskuar që ishin prezantuar si punonjës policie me armë në duar. Më pas i lidhën e i grabitën. Në ikje ata kishin rrëmbyer bashkëshorten duke i kërkuar të paguante brenda 24 orëve prej 50 milionë lekë. "Po flija, kur rreth orës 02:00 pas mesante, në dhomën e gjumit erdhën dy persona me maska.
Më lidhen, më pas vodhën disa lekë, më grabiten makinën dhe më rrëmbyen gruan. Por, u larguan nga banesa lajmërova policinë, që kishte zënë pritë dhe kishte qëlluar njëri nga grabitësit, ku ishte plagosur gruaja,- tha Janku. Më pas vazhdoi dëshminë e saj bashkëshortja e tij, Mariana Janku me shtetësi zvicerane. Ajo prej 12 vitesh ishte martuar me Sokol Jankun nga fshati Poro i Vlorës.
"Nga të qarat e vajzës u ngrita për t'i marrë qumësht. Sapo hyra në kuzhinë pashë dy persona me maska dhe me armë e granata në trup. Më thanë të mos bërtisja dhe më kërkuan t'i dërgoja te dhoma e gjumit ku ishte burri. Sapo u ngjitëm lart bashkëshorti u zgjua. E lidhën nga duart me pranga dhe kërkonin lekë. Morën rreth 500 mijë lekë, por donin një kasafortë që ne nuk e kishim. Më pas, morën makinën e burrit që ishte në garazh.
Mua më rrëmbyen duke i kërkuar burrit 50 milionë lekë. Dy personat më morën mua me vete duke u larguar nga banesa, ndërsa burrin e lanë të lidhur. Njëri qe më i gjatë dhe i dobët e tjetri i shkurtër i shëndoshë. Me mua në makinë erdhi ai i shëndoshi ndërsa tjetri na ndiqte me motorr. Në dalje të fshatit ishin vendosur 2 furgonë policie që kishin zënë rrugën dhe filluan të qëllonin në drejtim tonë. Aty u plagos ai që kisha në makinë dhe mua një plumb më kapi në dorë.
Erdhën policia, më dërguan në spital mua dhe atë personin grabitës që nuk ia di emrat se kush ishin,- tha dëshmitarja Janku. Më pas, dëshmoi Lazër Bërdalli. Ai rrëfeu se si kishte mësuar për rrëmbimin e gruas së mikut të tij. Sipas akuzës, në vjedhje dhe në rrëmbim kanë marrë pjesë i dënuari Ermir Habili, se krimin e ka kryer në bashkëpunim me Fotaq Zaharinë tashmë në proces. Avokatja mbrojtëse e këtij të fundit i kërkoi gjykatës thirrjen me cilësinë e dëshmitarit një person të vdekur me emrin Lefter Lleshi, i cili kishte denoncuar Zaharinë dhe Habilin në polici.