E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, 8600 persona të varur nga drogat e rënda

Mes 40.000 dhe 60.000 përdorues të drogave të ndryshme në të gjithë vendin. Të varur nga ato që cilësohen të rënda janë rreth 8600 persona.
Marijuana renditet e para në listën e drogave që konsumohen më shumë, sidomos te adoleshentët. Për shkak të përdorimit masiv, dy vitet e fundit është dyfishuar edhe çmimi i kësaj droge. Nëse në 2010 për 5 gramë paguhej 500 lekë, tani për të njëjtën dozë paguhen 1000 lekë. Heroina renditet e dyta. Pastërtia e saj në nivel rruge vlerësohet në masën 1%, çka do të thotë se mbetet ndër drogat më të rënda.
Kokaina, apo ajo që quhet droga e të pasurve, renditet e treta në listë, me një çmim që varion nga 7000-10.000 lekë. Strategjia e re e drogës e bërë publike dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe e miratuar 2 ditë më parë nga qeveria sjell një panoramë të detajuar të konsumit të lëndëve narkotike në vendin tonë.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e cilësoi mjaft shqetësues fenomenin, i cili sot ka përfshirë mosha fare të reja, duke nisur nga nxënës të shkollave 9-vjeçare, gjimnaze e të tjerë. Rritja ka qenë domethënëse. Ky dokument, me parametrat që është hartuar, lehtëson partnerët tanë ndërkombëtarë për të ndihmuar qoftë me idetë, ekspertizën, por dhe me projektet e tyre për implementim sa më efikas të kësaj strategjie për periudhën 2012-2016, tha gjatë konferencës së djeshme për shtyp ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Me anë të strategjisë së re synohet ulja e ofertës dhe eksesit ndaj drogave, ulja e kërkesës dhe reduktimi i dëmit ndaj përdoruesve.

Te dhena
Kanë konsumuar drogë:

40.000-60.000 persona

Grupmosha:
15-64 vjeç

Të varur:
4800-8600 individë

Trajtohen:
800 raste në vit

Eksperimentimi
Lidhur me prevalencën e përdorimit të drogave të paligjshme, të paktën një herë gjatë gjithë jetës, të dhënat tregojnë se 5-7 % e personave të moshës 15-18 vjeç kanë eksperimentuar me kanabisin, rreth 4 % me ekstazinë, mbi 1 % me heroinë, dhe 2-3 % me kokainë. Prevalenca është më e lartë në kryeqytet, krahasuar me pjesën tjetër të vendit. Ndërkohë që vërehet një përhapje disa herë më e lartë e përdorimit te meshkujt krahasuar me femrat.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›