E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Tenderi për Lotarinë kriminal, nuk do ta njohim

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha dje, në një dalje në media, se e konsideron të jashtëligjshëm e kriminal tenderin për koncesionin e “Lotarisë Kombëtare”, madje nënvizoi se, me të ardhur në pushtet, PS do ta anulonte, për t’jua kthyer shqiptarëve këtë pronë publike. “Është publiku, që, përmes shtetit duhet të përfitojë përqindjen e përmbysur të asaj që tha ministri i Financave. Jo 10 për qind, por 90, 85, minimumi 80 për qind për shtetin dhe pjesa tjetër për gjithë anën e operimit”, - tha Edi Rama. Kreu i Partisë Socialiste e përkufizoi tenderin, në dëm të interesit publik madje edhe kriminal. “Është një veprimtari haptazi kriminale në dëm të publikut dhe të interesit publik. Unë dua ta bëj të qartë, se ne nuk do ta njohim këtë dhe do ia kthejmë publikut këtë të drejtë, duke e vënë në vend atë, në dispozicioni të publikut”, - tha zoti Rama.

TENDERI
Skandali i licencës së “Lotarisë Kombëtare” është denoncuar nga gazeta “Panorama”, pas publikimit në faqet e veta të letrës që një prej kompanive, pas tërheqjes nga gara, i drejtonte ministrit të Financave, Ridvan Bode. Kreu i kompanisë gjigande të lotarive, “Intralot”, Constantinos Antonopoulos, në letrën në fjalë dërguar ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe Kryeministrit Berisha, pretendonte se kriteret e vendosura për kualifikimin e kompanive për procesin e tenderimit të Lotarisë Kombëtare, paracaktonin fituesin. Gjatë ditëve të mëparshme, edhe zëra të tjerë nga opozita kishin shprehur dyshimet për korrupsionin me licencën e lotarisë, të cilën, sipas tyre, qeveria po ia rezervonte klientëve të vet. Kreu i opozitës tha dje, se Lotaria Kombëtare nuk është si lojërat e rëndomta të fatit, por një e drejtë publike, që u takon qytetarëve dhe jo klientëve të pushtetit. “Kryeministrja Thatcher në Angli, kur futi lotarinë e ktheu në një mekanizëm për nxitjen e arteve, sporteve dhe politikave sociale, ashtu si në vendet e tjera ku është e njëjta logjikë, ndërsa logjika që ka udhëhequr këtë tender tek ne është grabitja e të drejtës së publikut në favor të klientëve të pushtetit”, - tha dje, Rama. 

Teksa foli për skandalin korruptiv që po bëhet me tenderin për dhënien e licencës së “Lotarisë Kombëtare”, Rama iu referua edhe ligjit për privatizimin e “Albpetrol”-it, i cili gjithashtu konsiderohet nga të majtët, një grabitje që po i bëhet popullit shqiptar. “Ajo çka i sugjeroj këtyre zotërinjve, që po shkojnë nga grabitja në grabitje dhe pasi kanë grabitur dhe po grabisin pasuri të patundshme, kanë hyrë në fushën e grabitjeve të të drejtave të publikut, të mbajnë parasysh të drejtat europiane dhe të mos harrojnë në asnjë moment se, aty janë për të qeverisur në interes të publikut”, - nënvizoi Rama.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›