Transaksioni i pronave te noteri, ulen tarifat

Eduard Halimi
Prej dy ditësh, shitblerja e pronës, verifikimi dhe regjistrimi i saj, do të realizohen nga zyra e noterit, pa qenë nevoja që qytetarët ti drejtohen Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Marrin fund në këtë mënyrë radhët e gjata, burokracitë në zyrat shtetërore dhe mundësitë për korrupsion. Që prej dy ditësh, falë një projekti të finalizuar tashmë nga Ministria e Drejtësisë, shitja, blerja dhe transaksionet e pronës bëhen në zyrën e noterit, duke mos qenë e nevojshme që shitësi apo blerësi të paraqiten në Hipotekë për regjistrim apo çregjistrim. Transaksioni i parë në këtë procedurë të re është ndjekur nga afër prej vetë ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. Ai asistoi transaksionin e parë të pronës me procedurën e re në një prej zyrave noteriale në Tiranë. Bashkë me Halimin në këtë procedurë ishte i pranishëm edhe drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive Arben Qirjako dhe stafi i tij. Nëse më parë qytetarët duhet të shkonin fillimisht te noteri ku bënin aktin e shitblerjes e më pas të prisnin me ditë në Hipotekë për regjistrimin e pronës në emër të tyre, tashmë gjithçka nis e mbaron te noteri. Me këtë reformë qytetarët do të përfitojnë kohën që do ti duhej për të kryer një veprim në zyrat e regjistrimit të pasurive palua-jtshme. Brenda pak sekondave, ashtu siç edhe demonstruam, u verifikua gjithë ai proces që duhej të kryhej te Zyra e Pasurisë së Paluajtshme, tha ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Ai theksoi se përmes një dixhitalizimi total që u është bërë regjistrave të pasurive të paluajtshme dhe zyrave noteriale në të gjithë Tiranën, është krijuar mundësia për qytetarët që nga 10 sportele që funksionojnë sot në Hipotekë, ata të kenë mundësinë e paraqitjes në 120 sportele (notere) në Tiranë për të marrë informacionin dhe për kryer shërbimin me ZRPP në lidhje me pronat. 120 noterë që funksionojnë sot në Tiranë do të kthehen në 120 sportele të këtij shërbimi publik që Ministria e Drejtësisë ofron nëpërmjet ZRPP. Një reformë kjo unike në Ballkan, unike në të gjithë rajonin dhe që do ti shërbejë forcimit të besimit të qytetarëve tek aktorët e Drejtësisë. Është një reformë e cila bën pjesë në reformën e sistemit të drejtësisë dhe që sigurisht do të sjellë një besim të madh të qytetarëve te noteri, tha ministri i Drejtësisë, Halimi. Ai theksoi se shërbimin që qytetarët e merrnin për 1000 lekë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, tani në zyrën e noterit do ta marrin vetëm për 600 lekë. Ministri tha se nëpërmjet gjithë kësaj reforme qytetarët do të marrin garanci të jashtëzakonshme sepse noterët do të jenë të gjithë të siguruar në një kompani sigurimi me të cilën noterët dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë do të bëjnë kontratën përkatëse. Transaksionet e pronave te noteri pa qenë e nevojshme që qytetarët të paraqiten në gjykatë, mundësohen nga sistemi ONE STOP SHOP për noterët, i realizuar nga Ministria e Drejtësisë. Prej muajsh ky dikaster ka punuar për të realizuar një sistem të tillë.