E Shtunë, 31 Tetor 2026

Birra Korça, përfaqësuesja shqiptare në BE

Ambasadorja çeke, Tomasova, gjatë vizitës te Birra Korça

Ambasadorja çeke: Model për prodhuesit europianë.

Birra Korça, ndërlidhësja e vetme e Shqipërisë me fuqinë europiane. Pas turistëve të shumtë, birra Korça tashmë mirëpret edhe përfaqësues diplomatikë, të cilët nuk i shpëtojnë dot habisë për investimin. Ambasadorja çeke, Bronislava Tomasova, ka përzgjedhur fabrikën e pijes si një destinacion për tu vizituar paralelisht me institucionet kryesore të qytetit. Teksa ka shfaqur interes tepër të veçantë jo vetëm për proceset në të cilat kalon prodhimi i birrës, syrit të saj nuk i kanë shpëtuar as gravurat prej qeramike të vendosura në ambientet e fabrikës Birra Korça, një demonstrim dinjitoz i vetive të saj, të cilat i përshtaten më së miri birrës Korça. Përfaqësuesja e Çekisë, një vend tepër i njohur për prodhimin e birrës, ka komplimentuar përzgj-edhjen e stafit dhe ka thënë gëzuar në gjuhën shqipe. Duke shijuar fillimisht një gotë birre bionde e më tej atë brune të saponxjerrë nga prodhimi, znj. Tomasova është fokusuar edhe te vendndodhja favorizuese dhe ruajtja e origjinalitetit të fabrikës, e cila daton që në vitin 1928. Investimi madhor i vitit 2006, ku në bashkëpunim me një kompani çeke, birra Korça iu përshtat të gjithë parametrave bashkëkohorë, të cilët sollën një rritje në cilësinë e saj, duke e futur fuqishëm në treg. Për rreth dy orë, ambasadorja Tomasova është shoqëruar në të gjitha ambientet nga zëvendësdrejtori i fabrikës dhe ka vëzhguar deri në detaj gjithë fabrikën, duke përgëzuar perfeksionin e saj, pasi siç është shprehur, në këtë fabrikë nuk mund të vlerësohet vetëm teknologjia e padiskutueshme, por edhe ana estetike e saj.
Zonja ambasadore, sapo keni vizituar fabrikën e birrës Korça. Si ju është dukur ajo?
Së pari më vjen shumë mirë për lidhjen që ka kjo fabrikë me vendin tim, pasi Çekia është pjesë e rikonstruksionit të saj. Është një surprizë e madhe për mua jo vetëm teknologjia që pashë këtu, por edhe ana estetike e saj.
Sipas jush, cili është niveli i kësaj fabrike?
Kjo fabrikë është shembullore dhe pa diskutim që mund të shërbejë si model frymëzimi edhe për shumë prodhues europianë.
A e shijuat birrën që prodhohet këtu?
Po. Ne e kemi traditë birrën dhe e them me siguri të plotë që kjo birrë ka shije shumë të mirë. Kur dëgjova që prania çeke ishte pjesë e kësaj fabrike, nuk munda ta vë në dyshim suksesin e saj dhe shpresoj që të ketë bashkëpunim edhe në të ardhmen.
Ju do të vazhdoni ta pini atë?
Kam dëgjuar që kapaciteti i birrës Korça po shfrytëzohet në maksimum sa i takon prodhimit të saj. Që para se të vija këtu kisha dëgjuar për këtë birrë, dhe pas ardhjes sime këtu, të jeni të sigurt që birra Korça nuk i ka shpëtuar menysë sime të përditshme.
Është birra Korça një konkurrente e denjë për birrat e tjera europiane?
Birra Korça, me sa di unë, eksportohet në tregjet europiane së tepërmi. Edhe pse Shqipëria nuk është pjesë e kësaj fuqie, birra Korça ka hyrë bindshëm në tregjet europiane dhe askush nuk mund ta vërë në dyshim shijen dhe cilësinë e saj.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›