E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmat e inerteve i ndërrojnë rrjedhën shtratit të lumit Mat

Vazhdon masakra ne shtrain e lumit Mat. Edhe pse ndalohet me ligj cdo ditë dhjetëra kamione e ekskavatorë, duke shkelur ligjin, gërryejnë pa pushim shtratin e lumit i cili ka marrë drejtime të reja në afërsi të fshatrave të rrethit të Lezhës dhe Kurbinit. 

LEZHE- Shfrytëzimi pa kriter i materialeve inerte në lumin e Matit nga firma të ndryshme të ndërtimit në rrethin e Lezhës po rrezikon seriozisht përmbytjen e tokave të disa fshatrave pranë brigjeve të këtij lumi. As Këshilli Kombëtar i Ujit, as urdhrat e Kryeministrit e të ministrit të Mjedisit, as Inspektorati i Ndërtimit nuk ndalojnë dot masakrën që bëhet cdo ditë në ditë të diellit. Edhe pse vazhdimisht nxirren vendime që mbajnë firmën e kryeministrave, apo të ministrave të Mjedisit, ekskavatorët vazhdojnë të gërryejnë dhe të shkatërrojnë shtretërit e lumenjve. Burime zyrtare nga Prefektura e Lezhës bënë të ditur se shtrati i lumit Mat ka marrë drejtime të reja në afërsi të fshatrave të rrethit të Lezhës dhe Kurbinit dhe deri tani janë gërryer mbi 100 ha tokë bujqësore. Si pasojë e ndryshimit të drejtimit të këtij lumi, argjinatura mbrojtëse që kalon përgjatë këtyre fshatrave është dëmtuar në disa vende. Firmat e ndërtimit shfrytëzojnë materiale inerte të ketij lumi në vende ku nuk lejohet, në afërsi të urave apo pranë shtratit të lumit. Megjithëse ka ligje të veçanta që nuk lejojnë marrjen e materialeve inerte në këto vende, shumë firma nuk u përmbahen këtyre regullave por vazhdojnë të dëmtojne ekosistemin. Ndërkohë, që organet vendore ndihen të pafuqishme për të parandaluar këtë fenomen.

(a.t/a.sh/NEWS24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›