E Diel, 1 Nëntor 2026

Vapa, 70 fëmijë "pushtojnë" urgjencën. Këshilla e mjekëve

Temperaturat e larta të
ditëve të fundit kanë shtuar
problemet me shëndetin,
sidomos te moshat e vogla. Janë
rreth 70 fëmijë që paraqiten çdo
ditë për t‘u vizituar dhe marrë
mjekim në qendrat ambulatore
dhe në pediatrinë e Fierit. Sipas
mjekes pediatre, Liljana Deçolli,
kontingjenti që shfaq më shumë
probleme gjatë këtyre ditëve të
nxehta janë fëmijët e grupmoshës
0-10 vjeç. Shqetësimet më të
shpeshta kanë qenë: temperaturë
e lartë, diarre, laringit etj.,
Sipas mjekes, imuniteti i dobët
i kësaj grupmoshe bën që ajo të
preket më lehtë nga infeksionet
dhe viruset e ndryshme që qarkullojnë
në këtë stinë. "Vetëm
në një lagje mund të paraqiten
për konsultë mjekësore 15-20
fëmijë të moshave nga 0-10 vjeç",
sqaron mjekja Deçolli. Ndërkohë
që bëhet e ditur se në katër
qendrat e rajoneve të lagjeve të
qytetit, numri i vizitave mund të
kalojë edhe mbi 70 në ditë. "Prej
disa ditësh, vihet re një rritje e
sëmundshmërisë te fëmijët. Kjo
vjen si shkak i temperaturave të
larta dhe rritjes së tyre të menjëhershme.
Deri tani situata duket
normale dhe me të njëjta ritme si
vitet paraardhëse. Megjithatë
duhet konsideruar si mjaft e
rrezikshme, nëse nuk përqendrohemi
dhe angazhohemi për ta
përballuar. Për këtë arsye duhet
një bashkëpunim maksimal mes
prindërve e mjekëve, për të bërë
të mundur shmangien e shfaqjes
së sëmundjeve dhe ndërlikimeve
që mund të shfaqen", ka thënë
mjekja pediatre. Ndërkohë, sipas
saj, shqetësimet më të shpeshta,
kryesisht kanë qenë javën e fundit.
"Kjo situatë është deri diku
normale për stinën dhe shkaktohet
kryesisht nga ndryshimi
i temperaturave, që ndikon në
sistemin imunitar të organizmit
të fëmijëve. Duhet pranuar se
numri i vizitave dhe fëmijëve që
paraqiten me ndërlikime, gjatë
kësaj periudhe, ka qenë i lartë dhe
gati çdo ditë paraqiten për vizitë
deri 70 fëmijë në ditë. Një pjesë
e tyre pas konsultës me mjekun
kthehen në shtëpi, ndërsa disa
janë hospitalizuar", ka pohuar
mjekja. Më tej, ajo rekomandon
kujdes maksimal të prindërve
gjatë kësaj periudhe. Ajo këshillon
paraqitje te mjeku në rast
të shfaqjes së shqetësimeve të
para dhe të mos drejtohen nëpër
farmaci për të marrë ilaçe pa
përshkrimin e mjekut. "Gati është
kthyer në fenomen që shumë
prindër të "bëhen mjek" dhe
shkojnë e marrin medikamente
pa recetë nëpër farmaci, ose në
mjaft raste të tjera besojnë më
shumë në skemën e mjekimit
të ofruar nga farmacisti, pa u
konsultuar më parë me një mjek
specialist", thotë ajo.
Ndërkohë, pediatrit tërheqin
vëmendjen që prindërit të tregohen
të rezervuar në marrjen e
antibiotikëve, nëse nuk është e
nevojshme dhe vetëm në rastet
kur rekomandohet nga mjeku.
Ndërkohë ata këshillojnë në ruajtjen
e një higjiene maksimale,
mbi të gjitha në ushqyerjen e
fëmijëve. Larje e shpeshtë e duarve
të fëmijëve dhe të ushqimeve
që konsumojnë. Rekomandohet
një regjim ushqimor i pasur
me lëngje, kripëra minerale, fruta
dhe perime të freskëta të stinës.
Duhen shmangur në maksimum
dalja e fëmijëve gjatë orëve të
pikut me diell, si dhe duhet
treguar kujdes në veshmbathjen
e të vegjëlve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›