E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e gjakut, mjekët dalin vullnetarë

Mungesa e theksuar e gjakut
në Punktet e Lushnjës dhe në
Fier ka detyruar bluzat e bardha të
dhurojnë gjak. Mjekët e spitalit të
Fierit, në kuadër të ditës botërore të
dhurimit të gjakut, i janë përgjigjur
thirrjes për t‘u sensibilizuar rreth
nevojave të paplotësuara për gjak,
kërkesa që vijnë duke u rritur. Në
këtë akt human, përveç shefave të
shërbimeve janë përfshirë të gjithë
mjekët dhe infermieret e grupit
spitalor të Fierit.
Veprimi i mjekëve ka pasur si
qëllim nxitjen e gjithë komunitetit
për të dhuruar gjak. Kjo nismë ka
qenë një mesazh drejtuar institucioneve
publike, private dhe
të gjithë banorëve të Qarkut të
Fierit për të dhuruar gjak. "Duhet
një sensibilizim i të gjitha shtresave
të popullatës, pasi duhet dalë nga
kriza ku ndodhemi sot", ka thënë
specialistja e Punktit të Gjakut në
Fier, Urani Gjermeni. Ndërkohë,
drejtoresha e spitalit, Najada Jahiqi,
duke dhuruar gjak, është
shprehur se shpresonte që edhe
institucione të tjera të ndjekin shembullin
e bluzave të bardha dhe
t‘i përgjigjen thirrjes për të dhuruar
vullnetarisht gjak.
Nisma e ndërmarrë nga vetë
bluzat e bardha ka ardhur edhe
si rrjedhojë e pengesës që ato
hasin gjatë punës së tyre, kur si
rastet emergjente dhe ato kronike
kërkojnë marrjen e gjakut me domosdoshmëri.
Fushata ka ardhur
pas rënies së numrit të dhuruesve
vullnetarë. Kujtojmë se vetëm disa
ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë,
Anila Godo, ka pranuar
krizën për gjak dhe ka deklaruar se
"siguria për gjak të pastër detyron
autoritetet e larta të shëndetësisë
të mos marrin gjak nga jashtë".
Ndërkohë, pak ditë më parë, një
fushatë e tillë sensibilizuese është
zhvilluar në administratën e Bashkisë
së qytetit të Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›