E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, Tirana qyteti më i ndotur në Evropë, Rama po rrezikon shëndetin e banorëve

Zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino: Kryebashkiaku të gjejë zgjidhje për pluhurin, të lirojë trafikun dhe të çlirojë qytetarët


Edhe pse është paralajmëruar vazhdimisht për nivelin e lartë të ndotjes në kryeqytet, në Tiranë, Bashkia s’ka ndërmarrë asnjë hap për minimizimin e nivelit të pluhurit dhe shmangien e ndotjes kaotike. Shqetësimin e dha dje zv/ministri i Mjedisit dhe këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Taulant Bino, i cili i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë Edi Rama, që të ndërmarrë masa emergjente, për shpëtimin e kryeqytetit dhe mbrojtjen e shëndetit të taksapaguesve të rregullt. Shifrat alarmante të bëra të ditur nga zv/ministri Bino, flasin për një ndotje 3 herë më të lartë se mesatarja evropiane. Krahas ndotjes urbane, Tiranës iu shtua kohët e fundit edhe ndotja nga trafiku, i cili është kthyer në një rrezik permanent. “Po mbushen afro dy muaj që qyteti gjendet i bllokuar nga Z. Rama ose Kryetari që nuk shkon në punë, rast ky unikal për një kryeqytet europian. Një muaj më parë ai bllokoi bulevardin për 18 ditë. Në mbarim të tij vendosi papandehur të bllokonte të gjitha rrugët lidhëse me sheshin “Skënderbej”. Sot, jemi kthyer në një situatë sa tragjike aq dhe qesharake. Në një krah qytetarët vuajnë trafikun, pluhurin dhe vapën, ndërsa në krahun tjetër ai që bllokon qytetin, jo vetëm që nuk shkon në punë por tashmë edhe banon jashtë Tiranës, në zonën e gjelbëruar dhe pa vapë të Pezës. Ndërkohë, në tallje të plotë me të gjithë, në sheshin e Tiranës punojnë jo më shumë se dy lopata, a thua se jemi në një situatë zbori parapërgatitor për vuajtje të tjera që duket se do të shtyhen më larg se kjo verë e nxehtë. Sikurse theksuar dhe në prononcime te tjera te Partise Demokratike, ky bllokim ka shkaktuar jo vetëm vështirësi në lëvizje dhe jo vetëm paralizë të jetës së qytetit. Bllokimi ka shkaktuar trafik tejmasë të rënduar dhe ndotje masive të ajrit të qytetit si pasojë e trafikut dhe e pluhurit në ajër. Kryetari ndoshta nuk e di po njerëzit janë qenie frymë-marrëse dhe për pasojë ata kanë nevojë për ajër, por jo çfarë do lloj “ajri””- u shpreh zv/ministri i Mjedisit dhe anëtari i PD-së në këshillin bashkiak të kryeqytetit, Taulant Bino. Ai theksoi gjithashtu se kryebashkiaku Rama duhet të lërë trillimet dhe të zgjidhë çështjen e pluhurit dhe trafikut në kryeqytet. “Ne nuk e shohim ajrin por e ndiejmë atë çdo ditë në mushkëritë e fëmijëve që po rriten në këtë pluhur. E ndjejmë si prindër dhe si qytetarë që kemi përgjegjësinë për lënien e qytetit në duart e një njeriu të papërgjegjshëm. Në emër të grupit të keshilltarëve të Partisë Demokratike të qytetit të Tiranës, në emër të qytetarëve të Tiranës i kërkoj Z. Rama të lerë gjelbërimin e Pezës dhe t’i kthehet zgjidhjes së pluhurit të Tiranës !Të lerë lojën “hapa-mbyllas” sepse kjo lojë i pëlqen vetëm atij! Të lirojë trafikun dhe të çlirojë qytetarët. Të lerë trillimet me kriza dhe t’i shtrohet punës! I kërkoj të na japë alternativa për zhvillimin e qytetit, alternativa për transportin, trafikun dhe jetën sociale e ekonomike të kryeqytetit”- deklaroi më tej ai. Fatkeqësisht, kryeqyteti shqiptar, ndodhet në ditë të hallit, sipasojë e neglizhencës së pajustifikueshme të Bashkisë dhe mos vëmendjes së kryebashkiakut ndaj probleme dhe shqetësimeve të qytetit dhe qytetarëve. Pavarësisht se kryeqytetasti detyrohen të paguajnë taksa të majme dhe të pajustifikueshme absurde, Edi Rama, nuk kthen kundrejt tyre asnjë kontribut, përveç talljes sa lart poshtë dhe me pasthirrmën e “kutive të mbyllura”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›