Veprimi i reformave, proces kyç për afrimin me strukturat e BE-së

Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta, merr garanci të plotë në Gjermani për vizat dhe integrimin
Kryediplomati shqiptar Ilir Meta tha dje se qeveria gjermane do mbështesë angazhimin e Shqipërisë për heqjen e vizave dhe anëtarësimin në BE. Pas takimeve me figura të rëndësishme të qeverisë dhe parlamentit gjerman shefi i diplomacisë shqiptare Meta ka deklaruar se ka marrë garancinë se Gjermania do të votojë ‘pro’ heqjes së vizave sapo Komisioni Europian të konfirmojë plotësimin e kushteve. “Për sa i përket perspektivës evropiane së Shqipërisë, sidomos në drejtim të liberalizimit të vizave, u vlerësua progresi që është bërë dhe u theksua se në momentin që Komisioni Evropian do të konfirmojë plotësimin e të gjithë kushteve, Gjermania do të japë mbështetjen e saj për të marrë vendimet përfundimtare lidhur me liberalizimin e vizave për vendin tonë. Edhe në drejtim të integrimit evropian, u theksua mbështetja e Gjermanisë për të bërë hapa të tjerë përpara për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Natyrisht që u theksua rëndësia e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes dialogut politik dhe në Parlament, si dhe mirëfunksionimi i Parlamentit, si një element i rëndësishëm për të çuar përpara ato reforma që kërkon integrimi evropian i vendit”- u shpreh zv/kryeministri Meta. Pas vizitës në Gjermani Meta ka konfirmuar se qeveritë e dy vendeve tona do të përqendrohen tek bashkëpunimi ekonomik si dhe tek investimet Gjermane në Shqipëri. “Kjo vizitë në Berlin tregon se vazhdimisht, marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, vijnë duke u përforcuar, vijnë duke u konkretizuar, tregues i së cilës ishte edhe nënshkrimi gjatë kësaj vizite edhe i Marrëveshjes për transportin Detar midis dy vendeve tona. Njëkohësisht, gjatë kësaj vizite, u konfirmua mbështetja e Gjermanisë për Shqipërinë, e cila në planin bilateral do të vijojë, pavarësisht paketës së gjerë të kursimeve që Gjermania ka ndërmarrë për të përballuar problemet me të cilat ndeshet vetë ajo, dhe disa vende në Evropë”- theksoi ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Zv/kryeministri tha se në takimet e tij ka marrë konfirmimin e autoritete të qeverisë gjermane, se ndihma për Shqipërinë nuk do të cenohet, përkundrazi, do të vazhdojë sipas të gjitha premtimeve dhe angazhimeve të marra më parë. “Mund të them se vëmendja tashmë do të drejtohet më shumë për të tërhequr investitorët e rëndësishëm gjermanë në vendin tonë. Kjo pasi dihet se ata sjellin jo vetëm teknologjinë më të avancuar, por sjellin edhe zhvillim. Dhe në këtë drejtim, mbështetja si e Ministrit të Jashtëm dhe zv/kancelarit z. ëesterëelle dhe e Sekretares së Shtetit për Bashkëpunimin Ekonomik znj. Kopp, dhe e gjithë të tjerëve, ka qenë mjaft evidente”- u shpreh Meta. Sipas zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, Gjermania ka në vëmendje politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon dhe për integrimin e saj të shpejtë në strukturat evropiane, proces ky që konsolidohet me veprimin e reformave.
...