E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Arrestimi i anëtarit të bandës së Zani Çaushit, dëshmon fytyrën e vërtetë të qëllimeve të Ramës dhe bllokmenëve

Edvini ka rekrutuar kontingjentin kriminal në PS, donte të sfidonte rendin ligjor përmes mosbindjes civile të organizuar nga anëtarë të bandave


Partia Demokratike reagoi sot ndaj lidhjeve të ngushta të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, me segmentet e krimit, përmes të cilave, synonte destabilizimin dhe cenimin e rendit ligjor, duke filluar nga mos bindja civile. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, u shpreh sot se arrestimi i një dite më parë i Skerdjan Bajramit, i cili identifikohet si një nga anëtarët kryesorë të bandës së Zani çaushit, është pjesë e lidhjeve të hershme të Ramës me kapobandon Aldo Baren. “Dje Policia arrestoi njërin nga segmente kryesore të krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorin kryesor të Edvin Kristaq Ramës në përpjekjet për bllokimin e rrugëve dhe mosbindjen civile. Arrestimi i Skerdjan Bajramit, i cili identifikohet si një nga anëtarët kryesor të bandës së Zani çaushit, dëshmon qartë edhe një herë lidhjet e Edvin Ramës dhe bllokmenëve të rinj me element të rrezikshëm të krimit të organizuar. Pas vërtetimit të lidhjeve të ngushta të Ramës me Aldo Baren, pas fakteve të nxjerra nga Prokuroria Italiane të bisedave telefonike kilometrike dhe deponimeve të Don Dollakut që faktojnë lidhjet e kësaj bande me Ramën dhe eksponentë të tjerë të kupolës Socialiste, lidhjet e fundit me bandën e Zani çaushit dëshmojnë fytyrën e vërtetë të qëllimeve të Edvin Ramës dhe bllokmenëve të rinj”- u shpreh zëdhënësja Mëhilli. Ajo deklaroi se PD duke i konsideruar të rrezikshme këto lidhje për Partinë Socialiste, i bën thirrje kësaj force politike të distancohet si nga këto element kriminal ashtu edhe nga eksponentë apo drejtues të kupolës socialiste që kanë lidhje me botën e krimit. “Gjithashtu PD i bën thirrje Zotit Rama të heqë dorë nga rekrutimi i kontigjenteve kriminale dhe pjesës më të errët të shoqërisë shqiptare”- nënvizoi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›