E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Një vit pas zgjedhjeve, opozita të pranojë rezultatin dhe të nderojë votuesit

Mazhoranca e hapur për bashkëpunim me opozitën, por jo që t’i bëhet opozitë shtetit. Dekretet, transparencë për emërimet në sistemin e drejtësisë


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i kërkoi dhe njëherë sot opozitës së Edi Ramës, që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të respektojë vullnetin sovran të qytetarëve. Kryeparlamentarja bëri këtë deklaratë pas vizitës së zhvilluar në ekspozitën e koleksionistit Lulzim Perati. Ajo tha se po bëhet një vit nga zhvillimi zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe se ka ardhur koha që opozita të mendojë bashkëpunimin me mazhorancën, për reformat dhe integrimin e vendit. “Meqënëse po bëhet një vit nga zgjedhjet e 28 qershorit, një moment tjetër po aq primar, që bën që secili prej qytetarëve shqiptarë të jetë krenar për veten e tij, me familjen e tij, me identitetin e tij, është 28 qershori. Kështu që në këtë aspekt, pas ditës së votimit detyra e parë për partinë që votuesit e kanë caktuar në detyrën që të bëjë opozitën, është të pranojë rezultatin dhe të nderojë verdiktin e qytetarëve. Roli i opozitës është i shenjtë dhe unë si Kryetare e Kuvendit e kam për detyrë që t’i respektoj në çdo hapësirë dhe në çdo të drejtë ligjore dhe të kem të gjithë fleksibilitetin për t’i mbështetur, pasi ne si shqiptarë kemi të njëjtat qëllime”- u shpreh kryetarja e Kuvendit. Ajo tha se zgjedhjet e 28 qershorit, ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë. “Janë zgjedhjet të cilat për herë të parë në Shqipëri janë vlerësuar më të mirat, pas një procesi të gjatë vuajtjesh me problemet elektorale dhe kjo e bën çdo shqiptar që të ndihet i barabartë në thellësinë dhe në pjekurinë e trajtimit të një dite kur shqiptarët vetë janë gjykatësit”- tha Topalli. Duke kujtuar se opozita s’ka marrë pjesë rregullisht në kuvend dhe as ka dhënë konsensus për ligje të rëndësishme që lidhen me integrimit, kryetarja e Kuvendit, vuri në dukje se Edi Rama duhet të ketë të qartë që integrimi mbështetet nga 96% e shqiptarëve. “96% e shqiptarëve kërkojnë integrimin dhe në këtë aspekt unë mezi pres bashkëpunimin e deputetëve të opozitës me pjesën tjetër të parlamentit për të çuar përpara çdo ligj, çdo reformë që i duhet vendit, jo Qeverisë. Detyra e opozitës është të kundërshtojë Qeverinë, t’i bëjë opozitë asaj, por kurrë t’i bëjë opozitë shtetit”- deklaroi më tej, kryeparlamentarja, Topalli.


Dekretet, transparencë për emërimet në pushtetin gjyqësor

Kryetarja e Kuvendit foli dhe për rregulloren e re, mbi mënyrën e votimit të dekreteve të Presidentit. Ajo tha se modeli i ri që pritet të aplikohet në Shqipëri, ekzistojnë në të gjitha vendet e botës. Ajo solli shembuj të Francës, Polonisë, Hungarisë, ku votimi është i hapur. Ajo e justifikoi aplikimin e rregullores së re, duke iu referuar raportit të Komisionit të Venecias, i cili, pas një opinioni, një analize të marrë nga të gjitha procedurat parlamentare në Europë, flet për mënyrat e votimit dhe procedurat në parlamente të ndryshme, duke i konsideruar të gjitha këto mënyra votimit, të hapura apo të mbyllura, si demokratike, si standard më i lartë natyrisht vlerësohet aty ku transparenca është më e madhe.
“Në bazë të leximit që ne i bëjmë Kushtetutës, ajo e thërret Kuvendin e Shqipërisë, i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të japë një vlerësim substancial dhe votimi substancial nuk është votimi individual i deputetit. Vlerësimi substancial është i institucionit të Kuvendit. Do të ishte papërgjegjshmëri nëse në një votim të fshehtë, një deputet i caktuar për shkak të një lidhjeje miqësore, të një njohjeje personale të jepte një vlerësim mbi një institucion kaq të rëndësishëm siç është pushteti gjyqësor”- u shpreh kryetarja e Kuvendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›