E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi anëtarit të bandës së Zani Çaushit, dëshmon fytyrën e vërtetë të qëllimeve të Ramës dhe bllokmenëve

Prangosja e të kërkuarit nga drejtësia, Skerdjan Bajrami, reagon PD


Partia Demokratike reagoi dje ndaj lidhjeve të ngushta të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, me segmentet e krimit, përmes të cilave, synonte destabilizimin dhe cenimin e rendit ligjor, duke filluar nga mos bindja civile. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, u shpreh dje se arrestimi i një dite më parë i Skerdjan Bajramit, i cili identifikohet si një nga anëtarët kryesorë të bandës së Zani çaushit, është vijim i segmenteve të rrezikshme kriminale të Ramës me të prangosurin tashmë, kapobandon e bandës sw Lushnjes Aldo Bare. “Dje Policia arrestoi njërin nga segmente kryesore të krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorin kryesor të Edvin Kristaq Ramës në përpjekjet për bllokimin e rrugëve dhe mosbindjen civile. Arrestimi i Skerdjan Bajramit, i cili identifikohet si një nga anëtarët kryesor të bandës së Zani çaushit, dëshmon qartë edhe një herë lidhjet e Edvin Ramës dhe bllokmenëve të rinj me element të rrezikshëm të krimit të organizuar. Pas vërtetimit të lidhjeve të ngushta të Ramës me Aldo Baren, pas fakteve të nxjerra nga Prokuroria Italiane të bisedave telefonike kilometrike dhe deponimeve të Don Dollakut që faktojnë lidhjet e kësaj bande me Ramën dhe eksponentë të tjerë të kupolës Socialiste, lidhjet e fundit me bandën e Zani çaushit dëshmojnë fytyrën e vërtetë të qëllimeve të Edvin Ramës dhe bllokmenëve të rinj”- u shpreh zëdhënësja Mëhilli. Ajo deklaroi se PD duke i konsideruar të rrezikshme këto lidhje për Partinë Socialiste, i bën thirrje kësaj force politike të distancohet si nga këto element kriminal ashtu edhe nga eksponentë apo drejtues të kupolës socialiste që kanë lidhje me botën e krimit. “Gjithashtu PD i bën thirrje Zotit Rama të heqë dorë nga rekrutimi i kontigjenteve kriminale dhe pjesës më të errët të shoqërisë shqiptare”- nënvizoi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli. Arrestimi i të shumëkërkuarit të bandës së Zanit, pritet të zbardhë një numër të konsiderueshëm krimesh/Policia e Tiranës vuri në pranga dy ditë më parë një person me precedentë të rëndë penal, anëtar i bandës së Zani çaushit Skerdjan Bajrami, i cili i fshihej drejtësisë, duke u maskuar nëpër protestat e Partisë Socialiste dhe i gatshëm për çdo akt kriminal, që do të ndikohej nga mos bindja civile e opozitës. Prej muajsh të tërë, ndoshta edhe prej vitesh, Skerdjan Bajrami, në liri të plotë dhe duke iu fshehur ligjit, ndaj të cilit ai kishte detyrime për një numër krimesh të kryera nga ai dhe banda ku “aderonte”, kishte krijuar lidhje të ngushta me drejtues lokalë dhe qendrorë të Partisë Socialiste, me synim realizimin e synimeve të zeza të opozitës së mbrapshtë, përmes bllokimit të akseve nacionale dhe ushtrimit të dhunës ndaj qytetarëve të thjeshtë, në rast mos bërjes pjesë në tubimet për mos bindje civile. Në këto kushte, arrestimi i një të shumë kërkuari nga drejtësia shqiptare, shënon një moment të rëndësishëm pozitiv për forcat e policisë në garantimin e qetësisë dhe rendit publik në vend. Jo pa qëllim, Skerdjan Bajrami ishte bërë pjesë e protestave të Partisë Socialiste, me në krye një të skarcuar mendërisht, Edvin Kristaq Ramën, i cili nga mëngjesi deri në darkë bëri thirrje për mos bindje civile. Angazhimi i personave me precedentë të rrezikshëm penal, si në rastin e Bajramit, i cili për vite me radhë ka qenë një nga anëtarët kryesorë të bandës së Myrteza çaushit, i njohur ndryshe si Zani, kishte për synim montimin e segmenteve të krimit dhe organizmin e reprezaljeve kundër shtetit dhe rendit ligjor. Në ngarkim të shtetasit Skerdian Bajrami, do të dërgohen materialet shtesë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë si një nga personat që ka kryer veprime aktive në bllokimin e rrugës në vendin e quajtur “Ura e Farkës” në Tiranë dhe në kundërshtim të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për hapjen e rrugës së datës 11 maj 2010. Përveç ekzekutivit të vendimit për arrestimin e të kërkuarit nga drejtësia Bajrami, atij do t’i duhet tashmë të përballet me një numër akuzash që rëndojnë mbi dhe mbi bandën e çaushit, e themeluar gjatë trazirave të vitit ’97-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›