Alarmi, çdo vit në Shqipëri dalin 400 raste të reja me tuberkuloz
Jonida Tashi
Sëmundja infektive e tuberkulozit po “kap” çdo vit në grackën e saj 400 raste të reja të prekurish në vendin tonë. Alarmi është dhënë dje nga mjekët specialistë të Spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, në kryeqytet. Dje, në Ditën Botërore të Tuberkulozit, mjekët kanë bërë apel për rritjen e programeve sociale në zonat verilindore të vendit, ku numri i të prekurve është më i madh, pasi dhe niveli i varfërisë është shumë më i lartë se në zonat e tjera. Kështu, megjithëse prej vitesh Shqipëria i ka shpallur “luftë” tuberkulozit numri i të prekurve nga kjo sëmundje në zonat verilindore të vendit vazhdon të tregojë rezistencë ndaj tuberkulozit.
Rastet
Numri zyrtar i personave që preken çdo vit nga sëmundja e tuberkulozit në vendin tonë është publikuar dje nga drejtori i Programit Kombëtar për Parandalimin e Tuberkulozit, Hasan Hafizi. Ky i fundit ka deklaruar se çdo vit raportohen rreth 400 raste të reja, kryesisht në zonat verilindore. “Prej disa vitesh ne jemi të kënaqur me ecurinë e sëmundjes në vend, pasi shohim se rastet janë ulur ndjeshëm, por ka ardhur koha që programet mjekësore të ndërthuren me ato sociale”,- është shprehur Hafizi. Sipas tij, kategoritë më të prekura nga tuberkulozi në Shqipëri janë po ato që kanë qenë në vite si të pastrehët, personat me HIV, grupet e margjinalizuara siç janë komuniteti rom e egjiptian.
Mbështetja
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që për pacientët e prekur me tuberkuloz, përveç mjekimit falas që marrin në spital, të përfitojnë dhe mbështetje ekonomike. Ndërsa porsa i përket trajtimit të sëmundjes, në bazë të Programit Kombëtar për Parandalimin e Sëmundjes së Tuberkulozit mjekimi për pacientët e prekur është bashkëkohor, por problem sipas mjekëve, mbetet sensibilizimi i të sëmurëve për të vazhduar mjekimin. “Problemi thelbësor që na shqetëson aktualisht është mjekimi korrekt i pacientëve të prekur me tuberkuloz, pasi nëse ata e refuzojnë rrezikojnë veten nga vdekja, por mund të bëhen dhe rezistentë ndaj mjekimit. Në këtë ditë i bëj apel gjithë popullatës që të informohen për sëmundjen e tuberkulozit, pasi ai sot është komplet i shërueshëm. Kujdes duhet të kenë në vazhdimin e mjekimit edhe pse kura e tij zgjat shumë gati 6 muaj, ata duhet të vazhdojnë të mjekohen edhe në rastet kur shohin se nuk kanë asnjë shqetësim”,- sqaroi Hafizi. Prej katër vitesh, Shqipëria përfiton një fond prej 1 milionë e 260 mijë dollarë për parandalimin e përhapjes së tuberkulozit. Kjo ka bërë që vendi ynë të mos jetë më një ndër vendet me numrin më të lartë të tuberkulozit në rajon.
Vasili: Objektivi, 10 të prekur në vit nga turbekulozi
Kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, pasi është njohur me numrin e të prekurve nga tuberkulozi në vendin tonë, ka deklaruar se objektivi i Strategjisë Kombëtare për këtë sëmundje është ta kemi 10 raste në vit numrin e të sëmurëve. I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në Ditën Botërore Kundër Sëmundjes së Tuberkulozit, ministri Vasili tha gjatë fjalës së tij se dikasteri që ai drejton vjen me arritje në këtë ditë. “Objektivi i Strategjisë tonë Kombëtare është që ta mbajmë në 10 raste në vit numrin e të sëmurëve. Si arritje duhet të përmendim trajtimin e rasteve me antituberkularë të marrë nga goja”,- theksoi Vasili. Ndërkaq, të dhënat e fundit sugjerojnë se individët HIV-pozitiv kanë rreth 20 herë më shumë probabilitet, krahasuar me ata HIV-negativ, për të zhvilluar sëmundjen e tuberkulozit.
Kosovë, ulet numri i të prekurve nga tuberkulozi
Megjithëse krahasuar me Europën Perëndimore shifrat e pacientëve më tuberkulozë nuk janë të kënaqshme, gjendja në Kosovë është relativisht e mirë. Numri i të infektuarve me sëmundjen e tuberkulozit në Kosovë ka rënë. Sipas të dhënave nga autoritetet e Kosovës, tuberkulozi takohet më shumë në zonat rurale, në qendrat e varfra dhe prek më shumë grupmoshat e reja. Ulja e numrit të të prekurve me tuberkuloz në Kosovë, rezulton të jetë i tillë për disa arsye ku më kryesoret janë se në këtë vend që nga viti 1999 ekziston Programi Kombëtar për Luftimin e Tuberkulozit, nëpërmjet të cilit bëhet diagonostifikimi i hershëm dhe trajtimi i pacientëve, megjithëse ai jo përherë arrin të shtrihet në të gjitha zonat. Po ashtu, që nga viti 2006 në Kosovë impelementohet projekti i Fondit Global për Luftimin e Sëmundjes së Tuberkulozit, në kuadër të të cilit është realizuar rehabilitimi i njësive antituberkulare, departamenteve, reparteve dhe laboratorëve për diagnostifikimin e tuberkulozit, blerja e aparaturave si dhe blerja e ilaçeve, e cila çdo vit merr 50 mijë euro nga shuma e përgjithshme e projektit prej 3 milionë e 900 mijë dollarësh. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, krahas sigurimit të ilaçeve për pacientët rezistent në barërat e rendit të parë do të financojë ndërtimin e Spitalit për Sëmundjet e Kraharorit. Spitali do të jetë në kuadër të Spitalit Rajonal të Pejës, 100 shtretër prej të cilit do të jenë vetëm për sëmundjet e tuberkulozit. Në këtë spital do të ketë një qendër të trajtimit të rasteve me tuberkuloz rezistent në terapi klasike, çfarë do ta veçojë atë edhe në nivel rajonal.
Hepatiti B, analizat do të kryhen së shpejti edhe në QSUT
Analizat për pacientët që vuajnë nga hepatiti B do të kryhen së shpejti edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Lajmi është bëri i ditur nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili ka deklaruar se në spitalin “Nënë Tereza” është blerë pajisja për të kryer analizën e hepatitit B dhe shumë shpjet analizat do të kryhen në QSUT. Sipas ylli, hepatiti B është një nga plagët e së kaluarës, pasi tashmë ekziston mundësia për t’u kuruar.
Kurimet jashtë vendit, qeveria miraton shpenzimet për tre pacientë
Nëpërmjet tre vendimeve të renditura në mënyrë të njëpasnjëshme, qeveria ka miratuar dje tre pacientë, të cilëve do t’u mbulohen në mënyrë të pjesshme nga Ministria e Shëndetësisë shpenzimet për kurim jashtë vendit. Më konkretisht bëhet fjalë për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të kurimit të shtetasit Besnik Herceku, në Itali. Për kurimin e këtij pacienti në Itali, qeveria ka vendosur që Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Shpenzime operative”, t’i shtohet fondi prej 335 mijë lekë. Një tjetër shtetas i përzgjedhur nga qeveria, për t’i mbuluar pjesërisht shpenzimet për kurim jashtë vendit, në Izrael është Kliti Kërxhalli. Edhe për këtë rast, qeveria i ka shtuar Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Shpenzime operative”, fondin prej 2 850 mijë lekë. Pacienti i tretë që do të përfitojë ndihmë financiare nga shteti për t’u kuruar jashtë vendit, në Gjermani, Fadil Mehmetaj. Për këtë pacientë, Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, në artikullin “Shpenzime operative”, do t’i shtohet fondi prej 5 milionë lekësh. Fondet për kurimin e tre pacientëve të mësipërm, sipas vendimit të djeshëm të qeverisë do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Kurse pagesat do të bëhen kundrejt paraqitjes së faturave origjinale të institucionit shëndetësor të kurimit.
25 Mars 2010