E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermieria, hapet Masteri i Nivelit të Dytë për vitin 2010-2011



Jonida Tashi

Hapet Masteri i Nivelit të Dytë për “Infermieri dhe subspecialitete” në Fakultetin e Infermierisë në kryeqytet.
Vendi për hapjen e programit të studimeve të ciklit të tretë, “Master i Nivelit të Dytë”, në Fakultetin e Infermierisë të Universitetit të Tiranës, si
dhe për miratimin e kuotës së pranimit e të tarifës së shkollimit, në këtë program studimesh është marrë dje nga qeveria.
Vendimi
Me propozimin e ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, Këshilli i Ministrave vendosi dje hapjen në Fakultetin e Infermierisë, të programit të studimeve të ciklit të tretë, “Master i nivelit të dytë” (MND), në “Infermieri dhe subspecialitete”. Në përfundim të këtij programi studimesh do të lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë (MND), në “Infermieri dhe subspecialitete”. Ky program studimi realizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është një vit. Sipas vendimit të qeverisë, ky program studimi do ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010-2011.
Kuota dhe tarifa
Kuota totale e pranimit për Masterin e Nivelit të Dytë në “Infermieri dhe subspecialitete”, për vitin akademik 2010-2011 do të jetë 30 kandidatë. Kurse tarifa e shkollimit, për studentët e regjistruar në këtë program studimi, do të jetë 100 mijë lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi e cila do të likuidohet në këste, të caktuara nga fakulteti përkatës. Studentët e Republikës së Shqipërisë, që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin paraardhës të studimeve, nuk do e paguajnë tarifën e shkollimit. Sipas vendimit të qeverisë, efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i tij, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Universitetin e Tiranës, pa efekte buxhetore shtesë.

Mblidhet Konferenca e Rektorëve
Dhori Kule, pro masivizimit të studentëve në universitete

Në mbledhjen e parë të Konferencës së Rektorëve, kreu i ri i saj, Dhori Kule, ka shpalosur strategjinë që do të ndjekë për fushën e arsimit të lartë, gjatë kohës që do të drejtojë këtë institucion. Duke i përmbledhur në shtatë pika kryesore çështjet që do të ketë në fokus Konferenca e Rektorëve, në krye të listës qëndron masivizimi i studentëve në universitete, qofshin ato publike ose private. Në këtë mënyrë, kreu i Universitetit të Tiranës, njëherësh dhe kryetar i Konferencës së Rektorëve, Dhori Kule, ka marrë përsipër të realizojë politikën e qeverisë “Berisha”, për të rritur numrin e të rinjve që vazhdojnë studimet e larta. “Jam këtu para jush, për të deklaruar se në situatën aktuale në të cilën ndodhet arsimi i lartë, ne mbështesim politikën e masivizimit, por ajo duhet shoqëruar me reforma në rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar. Gjithashtu, universitetet kanë nevojë për më shumë autonomi financiare, për të zbatuar standardet që kërkon Karta e Bolonjës”,- deklaroi Dhori Kule. Konferenca e Rektorëve të Universiteteve shqiptare (KRUSH) si organ kolegjial i pavarur i drejtuesve të universitete publike dhe private, duke respektuar autonominë e veçantë të tyre, ka rol të rëndësishëm koordinimi dhe zhvillimi në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Në situatën në të cilën ndodhet arsimi i lartë në Shqipëri, KRUSH deklaron se: mbështet dhe është i gatshëm të kontribuojë në procesin e rritjes së standardeve cilësore në arsimin parauniversitar si parakusht për standarde cilësore të universiteteve; mbështet domosdoshmërinë e fuqizimit të autonomisë institucionale dhe financiare të universiteteve publike dhe zhvillimit cilësor të universiteteve private; KRUSH do të ndikojë në stimulimin dhe rakordimin e mobiliteteve të studentëve dhe stafeve akademike sipas legjislacionit në fuqi; në bashkëpunim me institucione homologe europiane e më gjerë, një vend të veçantë do të ketë bashkëpunimi me universitetet shqipfolëse të rajonit; KRUSH do të zhvillojë aktivitete të përbashkëta të anëtarëve të vet në fushën mësimore e kërkimore në funksion të përfitimit nga këmbimi i eksperiencave të anëtarëve të vet; KRUSH do të koordinojë veprimtarinë për të rritur rolin e botës akademike në bashkëpunim me institucione të ndryshme të vendit.

Viti akademik 2010-2011
Rusia ofron 50 bursa studimi universitare dhe pasuniversitare

Rusia ofron 50 bursa studimi universitare dhe pasuniversitare për shtetasit shqiptarë gjate vitit të ardhshëm akademik. Në bazë të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit në fushën e arsimit, qeveria e Federatës Ruse ofron 25 bursa studimi për në universitetet publike të Rusisë, 20 bursa për studime universitare dhe 5 bursa për studime pasuniversitare, për vitin akademik 2010-2011. Kandidatët e interesuar për këto bursa studimi duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit, brenda datës 30 prill 2010, dokumentet e mëposhtme: për studime universitare: kërkesën për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë; vërtetimin e notave për tre vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga drejtoria ose zyra arsimore e rrethit përkatës; raportin mjekësor për aftësi studimesh; raportin mjekësor për virusin SIDA; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; kopjen e pasaportës (pasaporta duhet të jetë e vlefshme për një periudhë kohore deri në një vit e gjysmë mbas hyrjes në Rusi); 7 fotografi 4 cm x 6 cm. Për studime pasuniversitare: kërkesën për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë; fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë; listën e notave; dy rekomandime nga profesorë të universitetit; listën e artikujve shkencore të botuar (nëse ka të tilla), ose një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; kopjen e pasaportës (pasaporta duhet të jetë e vlefshme për një periudhë kohore deri në një vit e gjysmë mbas hyrjes në Rusi); raportin mjekësor për aftësi studimesh; raportin mjekësor për virusin SIDA; 7 fotografi 4 cm x 6 cm. Për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator 2010. Mosha e rekomanduar për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare, ose për programet e studimit të nivelit master, është deri në 25 vjeç, ndërsa për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në aspiranturë, është deri në 35 vjeç. Meqenëse masa e bursës është tepër e vogël, studentët duhet të paguajnë vetë shpenzimet e ushqimit, të cilat shkojnë deri në 300 USD në muaj, si dhe siguracionin shëndetësor në shumën deri në 250 USD në vit.

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›