E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, çmimet do rriten sërish

Shqiptarët do të vazhdojnë të varfërohen edhe në muajt në vazhdim. Konfirmimin e frikshëm e jep raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit e ardhmja është pesimiste.

fabiola Çela

"Rritja e çmimeve të drithërave, të naftës dhe të mallrave të tjera bazë, pritet të vazhdojë për një periudhë të pacaktuar", thuhet në raportin e Fullanit. Nuk mjafton me kaq. Problemi më i madh është se kjo rritje është e pafrenueshme. Banka e Shqipërisë, normalisht me rritjen e inflacionit duhet të rriste edhe normën e interesit. Por një masë e tillë e marrë tri herë në vitin e kaluar, duket se nuk ka dhënë rezultatet. "Megjithatë, nga ana e Bankës së Shqipërisë vlerësohet se shtrëngimet e njëpasnjëshme të politikës monetare gjatë vitit të kaluar, nuk kanë dhënë ende ndikimin e tyre të plotë në ekonomi". Ky konkluzion i raportit të BSH-së e bën pak të parandalueshme krizën që po vjen. Një tjetër frikë e parashikuar nga banka, janë remintancat. Sipas raportit, pritet që emigrantët të sjellin më pak para në Shqipëri. Ritmi i rritjes së të ardhurave që vijnë nga ata do të ulet. Kjo mbështetet edhe në faktin tjetër, që në të gjithë tregjet evropiane, ku ka emigrantë shqiptarë, çmimet janë rritur. Në këtë mënyrë ata do të konsumojnë më shumë para për jetesën e tyre jashtë dhe më pak për të ndihmuar familjet në Shqipëri. Sipas të dhënave, paratë e emigrantëve mbajnë me ushqime rreth 90 mijë familje në Shqipëri. Banka e Shqipërisë, në raportin e saj, thekson se qeveria duhet të rrisë pagat dhe pensionet për shtresat e para që preken nga rritja e çmimeve. Një presion tjetër, sipas raportit, janë investimet. Duke lavdëruar të ardhurat e mbledhura nga qeveria, banka thekson se investimet janë akoma të ulëta. Kjo përkthehet me më pak para për bizneset, më pak të punësuar dhe, si rrjedhojë, më pak mirëqenie. Por, rreziku kryesor vjen nga investimet në fund të vitit, të cilat do të rrisnin inflacionin. Banka e Shqipërisë thekson se nuk po e rrit normën e interesit për të siguruar që edhe këtë vit rritja ekonomike të arrijë në nivelet e planifikuara.
Çmimet
Rritja e çmimeve të mallrave ushqimore duket se nuk ka të ndalur. E njëjta gjë po ndodh edhe me çmimet e karburanteve. Rritja e çmimeve është theksuar gjatë tremujorit të fundit të vitit 2007, kohë në të cilën edhe niveli i inflacionit u rrit ndjeshëm. Përballë një situate të tillë, Banka e Shqipërisë ka rritur 3 herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2007, duke e çuar atë nga 5.5% në 6.25%. "Megjithatë, nga ana e Bankës së Shqipërisë vlerësohet se shtrëngimet e njëpasnjëshme të politikës monetare gjatë vitit të kaluar, nuk kanë dhënë ende ndikimin e tyre të plotë në ekonomi", thuhet në deklaratën e Bankës Qendrore. Por për fat të keq, kjo rritje nuk është frenuar as gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Investimet
"Gjatë tremujorit të parë të këtij viti situata fiskale ka qenë e kontrolluar në drejtim të të ardhurave, por jo shumë aktive në drejtim të kryerjes së shpenzimeve. Konvertimi i tepricës aktuale në deficitin e programuar deri në fund të vitit, duhet të kryhet në mënyrë graduale, duke evituar përqendrimin e shpenzimeve në muajt e fundit të vitit", thuhet në deklaratën e BSH-së.
Kursi i këmbimit dhe emigrantët
Gjatë vitit të kaluar është vënë re një thellim i deficitit korent, i shkaktuar nga rritja proporcionalisht më e lartë e vlerës së importeve në krahasim me eksportet. Në të njëjtën kohë, burimi kryesor i financimit të deficitit korent - prurjet nga emigrantët, ka regjistruar ritme rritjeje në rënie. "Zhvillimet aktuale në llogarinë korente mund të shihen edhe si faktorë që mund të çojnë në një luhatshmëri më të madhe të kursit të këmbimit në një kohë të dytë", citohet në deklaratën e Bankës së Shqipërisë.
Pagat dhe pensionet
"Nga ana tjetër, politika e pagave dhe e taksave, ecuria e investimeve dhe pritjet e agjentëve ekonomikë në përgjithësi, do të përcaktojnë ritmet e rritjes së kërkesës së brendshme", thuhet në deklaratën e Bankës Qendrore. Ndërsa përsa i përket zhvillimeve të ardhshme makroekonomike, Banka e Shqipërisë  vlerëson se rritja ekonomike dhe investimi në sektorë strategjikë si bujqësia, energjia dhe ndërtimi, duhet të përbëjnë prioritetet e politikëbërësve në të ardhmen afatshkurtër dhe afatmesme.

Rreziqet e ekonomise

    Për të frenuar rritjen e normës së inflacionit në 2007-ën, Banka e Shqipërisë ka rritur 3 herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2007, duke e çuar atë nga 5.5% në 6.25%. Megjithatë, shtrëngimet e njëpasnjëshme të politikës monetare gjatë vitit të kaluar, nuk kanë dhënë ende ndikimin e tyre të plotë në ekonomi.

    Rritja e çmimeve të drithërave, të naftës dhe të mallrave të tjera bazë, pritet të vazhdojë për një periudhë të pacaktuar.
    Gjatë vitit të kaluar është thelluar deficiti korent, i shkaktuar nga rritja proporcionalisht më e lartë e vlerës së importeve në krahasim me eksportet.

    Burimi kryesor i financimit të deficitit korent - prurjet nga emigrantët, ka regjistruar ritme rritjeje në rënie.

    Zhvillimet aktuale në llogarinë korente mund të shihen edhe si faktorë që mund të çojnë në një luhatshmëri më të madhe të kursit të këmbimit në një kohë të dytë.

    Konvertimi i tepricës aktuale në deficitin e programuar deri në fund të vitit, duhet të kryhet në mënyrë graduale duke evituar përqendrimin e shpenzimeve në muajt e fundit të vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›