E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria ngriu llogaritë e terroristëve”

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar dje raportin vjetor mbi terrorizmin.

Në këtë raport thuhet se Shqipëria premtoi të shtojë kontributin me trupa si në Afganistan dhe në Irak, mbajti të ngrira llogaritë bankare të lidhura me pastrimin e parave dhe me financimin e terrorizmit. Shqipëria, thuhet në raport, ka bërë përparim për të identifikuar dobësitë në kufijtë e saj tokësorë dhe detarë. Megjithatë, qeveria dhe forcat e policisë vazhduan të përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar plotësisht kufirin si dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në dhjetor, u ngritën akuza ndaj Hamzeh Abbu Rayan, administrator i Yassin Kadi, i cilësuar si financues i terrorizmit në bazë të rezolutës 1267 të Këshillit të Sigurimit. Akuza kishte të bënte me fshehje fondesh për financimin e aktiviteteve terroriste. Ky ishte rasti i parë në Shqipëri që ngriheshin akuza për një çështje që lidhej me financim të terrorizmit. Një padi civile e ngritur nga Yassin Kadi për të zhbllokuar asetet e tij u hodh poshtë për arsye teknike por ajo u paraqit përsëri në gjykatë në muajin korrik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›