E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, familja në krizë, tri raste dhune për 24 orë

Rritje drastike e rasteve të denoncimeve për dhunë brenda familjes

Thimi Samarxhiu
DURRËS – Familja në krizë. Tri denoncime gjatë 24 orëve të fundit në qytetin bregdetar. Babai dhunon djalin, nusja vjehrrin dhe ish-burri bashkëshorten. Këto janë tri rastet më të fundit të regjistruara nga Policia e qytetit bregdetar, ku në dy prej tyre kërkohet marrja në mbrojtje, ndërsa në rastin tjetër një grua denoncon ish-burrin dhe një femër tjetër për dhunën e ushtruar ndaj saj.
17-vjeçari rrihet nga i ati
Kur në pjesën më të madhe të vendeve europiane prindërit denoncohen menjëherë nga fëmijët e tyre në rast se ushtrojnë dhunë, në Shqipëri këto raste janë shumë më të pakta. Një rast i tillë është shënuar dy ditë më parë në qytetin e Durrësit, ku 17-vjeçari me inicialet E. Xh. ka kallëzuar në polici të atin 42-vjeçar. Sipas kallëzimit të bërë nga i mituri mësohet se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht duke u rrahur, keqtrajtuar e kërcënuar në mënyre sistematike nga babai i tij, shtetasi A. Xh., i datëlindjes 25.04.1968. Nga të dhënat e para mësohet se A. Xh. është i divorcuar dhe ka tre fëmijë. Ndërkohë, djali i tij ka deklaruar përpara uniformave blu se dhuna e tij ishte e padurueshme dhe e vazhdueshme, gjë që e ka shtyrë këtë të fundit t’i drejtohet policisë, si zgjidhje e vetme për t’i shpëtuar dhunës së të atit. Nga ana e saj policia kreu të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes nga ana e gjykatës.
I moshuari dhunohet nga nusja e djalit
Janë të shpeshta rastet kur nuset kanë konflikte të përhershme me vjehrrat, por kohët e fundit është vërejtur dhe një rritje e rasteve kur janë nuset konfliktohen me vjehrrit e tyre, madje duke ushtruar dhe dhunë ndaj tyre. Një rast i tillë është regjistruar dy ditë më parë në Durrës, ku 69-vjeçari me inicialet K. K. ka kallëzuar në polici nusen e djalit, e cila, sipas tij, ushtronte dhunë të vazhdueshme. 34-vjeçarja me inicialet P. K. është përgjegjëse për dhunën që ka ushtruar ndaj vjehrrit të saj. Në kallëzimin e bërë në polici i moshuari bën të ditur se prej kohësh ai është dhunuar fizikisht e psikologjikisht duke u rrahur, keqtrajtuar e kërcënuar në vazhdimësi nga nusja e djalit të tij. Të ndodhur përpara kësaj situate dhe përpara provave të grumbulluara, uniformat blu të Durrësit plotësuan kërkesë-padinë dhe e dërguan atë në Gjykatën e Durrësit, e cila pritet që të marrë vendim për marrjen në mbrojte të 69-vjeçarit të dhunuar nga nusja e djalit.
Denoncon ish-burrin
Edhe pas divorcit të tyre duket se ish-bashkëshorti nuk ka mbetur i kënaqur nga kjo gjë dhe ka vendosur që bashkë me një femër tjetër të godasë me sende të forta ish-bashkëshorten e tij. Ngjara e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë, ku 37-vjeçarja V. Rr. është goditur me sende të forta në mes të ditës, pranë sheshit “Pranvera” nga ish-bashkëshorti i saj, Sh. Rr. dhe nga një femër tjetër me inicialet A.S. Menjëherë pas ngjarjes, 37-vjeçarja i është drejtuar policisë, ku ka bërë kallëzim penal për këta dy persona. Nga ana e saj, policia ka kryer gjitha veprimet hetimore dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj tyre për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›