E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, ish-komandanti rrëfen ditën e ngjarjes



Procesi ndaj të pandehurve që akuzohen për ngjarjen e rëndë të 22 majit 1997 në Cërrik vijoi dje sërish pas më shumë se dy javë ndërprerjeje me pyetjen e dëshmitarëve. Dëshmitari i radhës, ish-komandanti i Gardës, shpjegoi dje disa detaje të rëndësishme, të cilat u jepnin përgjigje shumë pyetjeve, si: Kush urdhëroi për të hyrë në Cërrik me blinda? Kush ishin personat që mbetën të vrarë, nga u nisën dhe si arritën deri në vendin e caktuar? Momentin kur ka ndodhur dhe përballja me qytetarët e irrituar të Cërrikut, dhe emrat e personave që i pritën në këtë qytet. Prokurorët e çështjes u fokusuan në pyetjet e tyre kryesisht mbi këto detaje për të rikonfirmuar para kolegjit penal fajësinë e të pandehurve. Dëshmitari Rustan Martinaj, ish-komandant i mjeteve të blinduara në Gardën e Republikës, iu përgjigj të gjitha këtyre pyetjeve. “Më datë 22 maj 1997, në orën 08:30 të mëngjesit kam marrë urdhër për lëvizjen drejt Elbasanit. Përgatitëm katër transportues të blinduar me zinxhirë”, - nisi dëshminë e tij në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Më tej, Martinaj shpjegoi se përgatitën katër transportues të blinduar me zinxhirë për të hyrë në qytezën e Cërrikut. Dëshmitari shpjegoi se për të vajtur në Cërrik ku gjendja nuk ishte nën kontroll kanë marrë urdhër nga Xhait Xhaferri, shef i Gardës në 1997-n. Sipas tij, gjithçka ishte e planifikuar. Autoblindat do të kalonin nga Rrogozhina. Sapo autoblindat kanë hyrë në Cërrik, një prej gardistëve ka rënë në pritë. Këtë fakt dëshmitari tha se e kishte mësuar të nesërmen, më 23 maj, nga Gëzim Velaj, një prej gardistëve të plagosur në krah. Gëzim Velaj ka shkuar në spital së bashku me Rustan Martinaj dhe kanë takuar të plagosurit e tjerë. Dëshmitari ka treguar se gjithçka e ka ndjekur nga vendi i punës. Më vonë, kur ngjarja kishte dalë jashtë kontrolli, pra mbrëmjen e 22 majit, ai është nisur nga Qafë–Kërrabë për të marrë autoblindat në Elbasan. Por rrugës dëshmitari tha se janë kthyer pasi kanë takuar disa prej personave që kishin qenë të pranishëm në Cërrik bashkë me autoblindat. Gjithë ngjarjen komandanti i mjeteve të blinduara e ka mësuar nga gardistët e plagosur. Ata i kanë thënë se veç blindave të Gardës drejt Cërrikut ishin nisur edhe dy blinda të policisë së Elbasanit. Ndërkohë që në qendër të qytetit të
Cërrikut është futur vetëm një prej blindave, i cili është qëlluar nga të gjitha anët. Një tjetër autoblind është futur më pas për të bërë tërheqjen e personave të plagosur. Ndërkohë që kanë mbetur në ngjarje ata që u dogjën të gjallë. Pas rrëfimit të tij, ish-komandanti u largua nga salla duke u ndërprerë edhe seanca e radhës për të vijuar javën që vjen sërish me dëshminë e një prej gardistëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›