I plagosuri nga tragjedia e Gërdecit padit qeverinë për dëmshpërblim
Laureta Rryçi
I plagosur nga tragjedia e Gërdecit, Bashkim Muka ka vendosur pas më shumë se dy vitesh të padisë qeverinë dhe firmën private “Albademil” për humbjen e krahut të tij. Sipas padisë së depozituar në Gjykatën e Tiranës, Muka kërkon që t’i caktohet një pension invaliditeti nga Këshilli i Ministrave, si dhe dëmshpërblim financiar nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga firma që kishte marrë përsipër demontimin e municioneve në Gërdec. Bashkim Muka ka humbur njërin krah nga ngjarja, si dhe ka pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Objekti i padisë është: “Shpërblimi i dëmit të rrjedhur nga dëmtimi i shëndetit fizik dhe psikik, si dhe shpërblimi i dëmeve të tjera rrjedhur nga fitimi i munguar”. Gjyqtari që do të gjykojë këtë padi është Arben Kostandini, ndërsa ende nuk është caktuar seanca e parë.
Padija
Sipas padisë, 56-vjeçari ka humbur aftësinë për të punuar, çka ka sjellë mungesën e të ardhurave financiare për familjen e tij. Ai ishte i vetmi person që fitonte të ardhurat për të mbajtur fëmijët. Tashmë shëndeti i tij është i përkeqësuar dhe familja në kushte të rënda shëndetësore. Muka ende nuk e ka përcaktuar shumën e dëmshpërblimit financiar në lidhje me këtë padi civile.
Paditësi është banor i fshatit Gërdec dhe prej afro 25 vjetësh ka punuar në ish-Ndërmarrjen e Hekurudhave. Në vitin 1995, Bashkim Muka ka përfituar tokë bujqësore në sipërfaqen prej 8464 metrash katrorë dhe gjatë kësaj periudhe, deri ditën e ngjarjes tragjike të Gërdecit, e cila u shoqërua me viktima të shumta, me plagosje dhe dëmtime të tjera në shëndetin dhe në pasurinë e banorëve, Muka ka punuar si fermer në pronën e tij, duke realizuar të ardhura për familjen e tij me gjashtë anëtarë. Ditën e ngjarjes, më 15 mars 2008, Bashkim Muka dhe bashkëshortja e tij ndodheshin duke mbjellë fasule në tokën bujqësore, pronë e tyre. Shpërthimi hodhi në pronën e tij një predhë të madhe, një pjesë e së cilës e goditi në krahun e djathtë, duke e plagosur rëndë. Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm. 58-vjeçari ka kërkuar ndihmë pasi dhembjet ishin të rënda. Bashkëshortja i ka hequr këmishën dhe ia ka lidhur në krah për t’i ndalur sa të mundej gjakun. Në këtë gjendje të rëndë, Muka, bashkëshortja e tij dhe banorë të tjerë që ndodheshin afër tyre, morën arratinë nëpër pyll, sepse gjendjen e krijuar e konsideruan si shpërthim të një lufte.
Sipas padisë së regjistruar në Gjykatën e Tiranës, që mban numrin 5270, Bashkim Muka ka pësuar plagë të rënda nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Ditën e ngjarjes ka qenë rreth 200 metra, vijë ajrore, nga fabrika, duke kullotur bagëtitë. Befas dëgjon një shpërthim të fuqishëm dhe pas disa minutash e gjitha fabrika ka shpërthyer. Sipas familjarëve të tij, pjesët metalike dhe avulli i krijuar nga shpërthimi e kanë goditur Bashkimin, duke e hedhur disa metra më tutje. Persona të rastësishëm dhe më pas familjarët e kanë shoqëruar më pas në spitalin më të afërt, duke marrë mjekimet e duhura. Gjendja e tij ishte kritike për jetën dhe me ndihmën e ambasadës greke është transportuar në Selanik ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Si pasojë e plagëve të rënda në pjesë të ndryshme të trupit 56-vjeçari ka humbur njërin krah. Të afërmit deklarojnë se pas kthimit nga Greqia, Bashkimi duhet të kurohet jashtë vendit. Disa muaj më parë ai është vizituar në një klinikë të specializuar në Slloveni, ndërsa shteti shqiptar, pas kësaj kohe, ka ndërprerë ndihmat, duke lënë familjen e Bashkim Mukës në mëshirë të fatit dhe pa asnjë të ardhur.
Akuza
Krahas Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së demontimit të municioneve “Albademil”, e paditur për shpërthimin e fuqishëm të 15 marsit 2008 është edhe qeveria “Berisha”. Padia e Bashkim Mukës nuk është e vetmja kundër Këshillit të Ministrave. Sipas burimeve nga Gjykata e Tiranës, po gjykohet edhe kërkesa e banorëve të tjerë të Gërdecit që kërkojnë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar. Ky proces pritet të nisë me 1 mars të këtij viti. Ky grup banorësh janë të vetmit që kanë përcaktuar shumën financiare që duan të përfitojnë nga kjo betejë ligjore. Ata kërkojnë që për dëmtimet që kanë pasur nga tragjedia të dëmshpërblehen me 26 milionë lekë. Në këtë rast e paditur është qeveria dhe ndërmarrja e shitblerjeve të armëve “MEICO”. Sipas padisë së tyre thuhet se “Me veprimet dhe mosveprimet e Kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë procedurës së trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale”.
24 Shkurt 2010