E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Ri për QSUT-në, Mjekët duhet të pakësojnë numrin e pacientëve në disa pavijone

Drejtori i QSUT-së Ilir Dashi: ”Pacientët nuk do qëndrojnë më shumë se 24 orë në urgjencë”

Eljona Lata

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nxjerrë një urdhër të veçantë për mirëfunksionimin e sistemit të konsultave dhe urgjencës. Ky urdhër ka ardhur për shkak të numrit të madh të pacientëve në urgjencën e spitalit të sëmundjeve të Brendshme, dhe Reanimacionin e Kardiologjisë. Pika të rëndësishme të këtij urdhri janë evitimi i rasteve të pranuara në urgjencë, të cilët nuk justifikojnë kriteret e urgjencave mjekësore sekondare apo terciare. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi ka firmosur urdhrin, i cili ka shkuar ditën e djeshme te të gjithë shefat e pavijoneve. Sipas Drejtorit të QSUT-së koha e një pacienti të shtruar në urgjencë do të jetë e kufizuar. Drejtoria e QSUT-së do të kontrollojë për çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme, dhe sidomos përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit.
Urdhri
Duke u nisur nga mbipopullimin nga pacientët të urgjencave dhe pavijoneve të tjerë si të sëmundjeve të Brendshme, dhe Reanimacionin e Kardiologjisë drejtori i QSUT-së ka nxjerrë një urdhër për shmangien e këtij mbipopullimi dhe përmirësimin e shërbimit kundrejt pacientëve. “Të gjitha këto pavijone, si shërbimi i urgjencave, reanimacioni i Kardiologjisë, dhe shërbimet e Kardiologjisë janë të detyruara që në fund të çdo jave, të sjellin në Drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar. Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe Urdhri nga mjekët. Në rast se konstatohen shkelje, Drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre”, ka nënvizuar Dashi. Sipas këtij të fundit marrja e këtij Urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në Urgjencë. Dashi ka theksuar se ky Urdhër do të sjellë mirë funksionimin e sistemit të urgjencës, pasi parashikon që asnjë nga pacientët të mos qëndrojë më shumë se 24 orë i shtruar në Urgjencë.
Shërbimet
Në bazë të këtij urdhri, për përmirësimin e shërbimit të Urgjencës është garantuar shërbim 24 orësh i laboratorit të analizave dhe Imazheria konvencionale. Po kështu, pavijonet e Kardiologjisë (kati i parë, kati i dytë) duhet të rezervojnë çdo ditë të paktën 3 shtretër për çdo pavijon për të sëmurët e Urgjencës së spitalit numër 1. Pavijonet e tjera të sëmundjeve të Brendshme duhet të kenë çdo ditë në dispozicion të Urgjencës, të paktën 2 shtretër për pavijon. Struktura e shërbimeve të Urgjencës do të rishikohet dhe modifikohet, për t’u fuqizuar me personel. Gjithashtu, dhe personeli i urgjencës do të përzgjidhet për të mos u përsëritur gabimet e mjekëve ose të infermierëve, të cilët, i kanë shkaktuar vdekjen pacientëve. Drejtuesit e qendrës më të madhe spitalore në vend deklarojnë se siguria në Urgjenca do të rishikohet në mënyrë tërësore.

boc
Shërbimet që do të ofrojë “Spitali i Ri” që do të hapet në QSUT
“Spitali i Ri” që do të hapet në shërbimin e Urgjencës brenda periudhës mars-prill 2010, do të funksionojë mbi parimin e “ciklit të mbyllur”. Ky spital do të jetë një strukturë moderne në të gjitha llojet e pikëpamjeve, si për sa i përket mënyrës së konstruktimit dhe shërbimeve që do të ofrojë. Projekti për ndërtimin e Spitalit të Ri në QSUT është financuar nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Europës në vlerën 14 milionë dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milionë dollarë (vetëm për ndërtimin e godinës). Për pajisjet mjekësore, investimi do të financohet nga qeveria shqiptare në masën 8 milionë euro. Në këtë ndërtesë me 5 kate do të vendosen ekzaminimet e imazherisë dhe diagnostikimit; urgjenca 1 dhe 2 me 18 shtretër observimi (kati përdhes); mjekësi e përgjithshme, 30 shtretër; kirurgji e përgjithshme, 30 shtretër (kati i parë); reanimacioni me 15 shtretër dhe laboratorët kimikë (kati i dytë); departamenti i Hematologjisë, me 16 shtretër standard, 6 të specializuar dhe 14 për pacientët ambulatorë (kati i tretë); 7 salla operacioni, 8 shtretër post operator dhe laboratori histologjik (kati i katërt). Gjithsej, spitali i ri do të ketë 115 shtretër. Blerja e pajisjeve mjekësore do të bëhet në 2-3 lote, nga të cilat loti kryesor do të jetë ai ku do të përfshihen pajisjet e imazherisë, diagnostikës dhe laboratorëve.

Berat, dështon miratimi i buxhetit të bashkisë

Ka dështuar miratimi i buxhetit të Bashkisë së Beratit. Me 16 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime nuk u bë i mundur votimi i shpenzimeve për vitin 2010 sepse kërkoheshin 18 vota.
Kjo është mbledhja e dytë e këshillit bashkiak që nuk po gjen dot një zgjidhje për këtë buxhet. Këtë herë me votat e LSI që votoi kundër së bashku me PD u bashkua edhe një këshilltar socialdemokrat.
Këshilltarët socialistë paraqitën në mbledhje pretendime se shumë nga investimet e bashkisë nuk janë realizuar me cilësi. Këshilli ka edhe një mundësi të tretë për të votuar buxhetin.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›