E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i BSH: Deficiti buxhetor është rritur me 23%

TIRANË- Qeveria ka rritur shpenzimet buxhetore jashtë mundësive të kapaciteteve prodhuese në vend. Deficiti buxhetor gjatë mujave të fundit është rritur me 23% si pasojë e tejkalimit të shpenzimeve qeveritare, ndërkohë që qeveria është detyruar të përdorë dhe të ardhurat nga privatizimet. Alarmi përsëritet nga Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani i cili i kërkon qeverisë të tregojë kujdes.

“Shpenzimet buxhetore kanë pësuar një rritje prej 23% duke reflektuar kryesisht rritjen e shpejtë të shpenzimeve kapitale. Të ardhurat buxhetore kanë patur një ecuri më të ngadaltë se shpenzimet, si pasojë e ngadalësimit të rritjes ekonomike. Shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe rritjes së huamarrjes publike.”u shpreh Fullani.

Sipas Guvernatorit, kjo situatë do pasojë me potenciale të pakta të financimit të tregut shqiptar, gjë që mund të ndikojë në ecurinë ekonomike të vendit.

Fullani doli përpara mediave për të njoftuar vendimin më të fundit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqiëprisë për të ulur normën bazë të interesit me 0.5% , e cila zbret nga 5.75% në 5.25 %. Herën e fundit BSH vendosi të ulë normën bazë të interesit në fillim të muajit janar, kur u pa se kriza globale po arrinte drejt kulmit të saj, duke i paraprirë një përkeqësimi të mundshëm të situatës ekonomike.

Rezultatet e fundit që flasin për rënie të aktivitetit ekonomik, rënie të kreditimit dhe rënie të flukseve hyrëse të valutës duket se kanë qenë argumentat që kanë cuar Bankën e Shqipërisë të ulë normën bazë të interesit.

Sipas Fullanit sfidë për ekonominë vazhdon të mbetet ngadalësimi i kredisë në sektorin privat. Bankat e nivelit të dytë vazhdojnë të aplikojnë kushte mjaft shtrënguese në dhënien e kredisë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›