Alarmi i lekëve falce, vërshojnë 500 lekëshat në Tiranë
Paniku i kartmonedhave falce në kryeqytet është rikthyer sërish. Më të prekurit janë dyqanet dhe karburantet pasi ato janë dhe subjektet që bien pre e falcifikatorëve.
Sipas gazetës Shqip, ditët e fundit janë raportuar dhjetëra raste kur qytetarë të thjeshtë kanë pasur në përdorim kartëmonedha false. Gazeta Shqip disponon kartëmonedha false të prerjes 500 lekëshe, e cila mësohet se është më e përhapura nga tregu. Ajo është e prerjes më të vogël se një kartëmonedhë origjinale dhe ka një shpëlarje të bojës.
Duket që kopjimi lë shumë për të dëshiruar, megjithëse prodhuesit janë munduar që letrën ta bëjnë pak të vjetër, me qëllim që të mos bjerë në sy. Nëse gjendet në një tufë me 500 lekësha, atëherë kjo kartëmonedhë, me një shikim me sy të lirë, nuk mund të zbulohet. Ndërkohë, Policia e Tiranës, e pyetur për këtë problem, pohon se janë marrë disa denoncime ditët e fundit dhe rastet po verifikohen, nëse kartëmonedhat false kanë apo jo të njëjtën fabrikë, e cila mund të jetë një fotokopje me ngjyra shumë cilësore. Disa komisariate kanë denoncuar futjen në qarkullim të parave false në Tiranë. Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë po punojmë për të zbuluar origjinën nga janë futur këto para, pohojnë burimet nga policia. Nga ana tjetër, ekspertët e fushës këshillojnë qytetarët mbi mënyrat për të njohur paratë e falsifikuara. Motoja e ekspertëve është: preke, shikoje, lëvize kontrolloje.
Arrestimet e fundit
Policia e Tiranës njofton se ka punuar për zbulimin e të gjithë personave që fusin para false në qarkullim. Disa javë më parë, një agjent i infiltruar ka zbuluar një rrjet që hidhte para false në kryeqytet. Agjenti i policisë është kamufluar si blerës i parave të falsifikuara. Ai ka mundur të blejë fillimisht 100 mijë lekë dhe pasi ka qenë i besuar, grupi i ka dhënë edhe 300 mijë lekë në prerje 1 mijë lekëshe. Krahas këtij agjenti, disa punonjës policie kanë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim personat e tjerë, madje i arrestuan gjatë blerjes së tretë. Të arrestuarit po dorëzonin një shumë prej 520 mijë lekësh, prerje 1 mijë lekëshe të falsifikuara. Ka dyshime se këto para janë prodhuar në Kosovë dhe i ka marrë i pandehuri Preg Shqalqi. Kryesuesi i këtij grupi ishte Edmond Çela, kryeplak i Komunës Pezë e Vogël. Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, bënin të mundur hedhjen në treg të parave të falsifikuara. Këto para posedoheshin nga Çela, i cili më pas ia shiste Preg Shqalqit. Ky i fundit u kap në flagrancë në afërsi të Bankës së Shqipërisë.
Këshillat e ekspertëve
Të kontaktuar nga gazeta, ekspertët pohojnë se kartëmonedhat lekë janë në pesë prerje, me përmasa dhe ngjyra të ndryshme. Ndryshimi i këtyre elementëve e bën kartëmonedhën të falsifikuar. Ndër elementët e sigurisë së lekut përmenden 12, duke filluar nga portreti, filli i sigurisë, mikrotekstet, holograma, filigrana, boja e dukshme e ndryshueshme, elementi i regjistrimit, elementët njohjes për të verbrit, shtypi i thellë, numri i serisë, imazhi i padukshëm dhe antifotokopja. Janë disa elementë që e bëjnë të dallueshme kartëmonedhën e falsifikuar dhe atë origjinale. Në bazë të të dhënave rezulton se leku fals që qarkullon në Shqipëri dallohet nga mospasqyrimi i imazhit të padukshëm BSHSH dhe pandryshueshmëria e bojës. Sipas ekspertit, në paratë false nuk ka shtyp të thellë, ndërsa në kartëmonedhën e falsifikuar shkrimet janë kryer në sipërfaqe. Po kështu është kryer gabim imitimi i elementëve të sigurisë së letrës dhe të shtypit fluoreshent, ndërsa në disa raste është evidentuar në lekët false se filigrana është pa detaje dhe filli i sigurisë, jo i vazhdueshëm dhe pa shifrat e vlerës. Nga ekspertimet rezulton se ka mospërputhje të elementit të regjistrimit, si dhe deformime të shkronjave të mikrotekstit.
Kartëmonedha - Që disponon Shqip është e prerjes më të vogël se origjinalja dhe ka një shpëlarje të bojës. Kopjimi lë shumë për të dëshiruar
Dallimi - Leku fals që qarkullon në Shqipëri dallohet nga mospasqyrimi i imazhit të padukshëm BSHSH dhe pandryshueshmëria e bojës
Elementët e sigurisë te leku
1. Portreti
2. Filli i sigurisë
3. Mikroteksti
4. Holograma
5. Filigrana
6. Boja e dukshme e ndryshueshme
7. Elementi i regjistrimit
8. Elementët njohës për të verbrit
9. Shtypi i thellë
10. Numri i serisë
11. Imazhi i padukshëm
12. Motivet antifotokopje
Eurot false
Në Shqipëri e kanë letrën të lëmuar. Eurot e rregullta kanë letrën e ashpër dhe po ta shtrish në pëllëmbë, ajo merr formën e dorës. Në kartëmonedhën e falsifikuar, vula false ka ngjyrë të shpërlarë, ndërkohë që duhet të jetë ngjyrë varak.