Topi përfundon mandatin: Vendi ka nevojë për stabilitet demokratik
Tiranë- Një ditë para përfundimit të mandatit në krye të Shtetit, presidenti Bamir Topi ka dhënë sot një mesazh publik duke u shprehur se është përpjekur që të jetë president i të gjithë shqiptarëve.
Nëpërmjet një konference për mediat Topi deklaroi se gjatë mandatit të tij pesë vjeçar, është ndeshur me pritshmëri të shumta nga publiku, ndërsa ai vetë ka mënjanuar konfliktet dhe i ka trajtuar me seriozitet të gjitha çështjet.
Kam bindjen e thellë se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë nëse politika vendimmarrëse do ta përdorte pushtetin e saj të madh në mënyrë konstruktive dhe institucionale, nëse interesat e saj do të gjenin më shumë përputhje me interesat tuaja qytetare dhe nëse klasa jonë politike do të dëshmonte më shumë maturi, përgjegjësi dhe aftësi për të sjellë ndryshimet e premtuara,- tha Topi.
Më tej kreu i Shtetit u shpreh se vendi ynë gjatë këtij viti meritonte të hidhte hapa më të mëdhenj drejt antarsimit evropian. Duke thënë se gjatë mandatit të tij Presidenca ishte dhe mbeti një institucion me sjellje qytetare ku nuk pati konflikte, por zgjidhje të tyre.
një Institucion, nga i cili nuk lindën konflikte por u zgjidhën konflikte, nga i cili nuk pati politikë partiake, por sjellje e vendime institucionale, nga i cili asnjë qytetar nuk u ndie i fyer, i përjashtuar apo i harruar, por gjithsecili gjeti një derë të hapur për shqetësimet, mendimet dhe nevojën e madhe të bashkëpunimit në të mirë të interesave publike e kombëtare; që me gjithë problemet e trashëguara të tranzicionit, pesë vitet e mia presidenciale u dhanë më shumë jetë, pavarësi e forcë veprimi institucioneve kushtetuese dhe grupeve të shoqërisë civile, medias së pavarur dhe logjikës institucionale të trajtimit të problemeve,- vijoi ai.
Topi nuk ka lënë pa uruar edhe presidentin e ri duke kërkuar që edhe ai të marrë mbështetjen e gjerë qytetare. Sipas tij, ka ardhur koha që vendi ynë të reformohet dhe të ndjekë politika sipas interest qytetar.
Shqipëria ka nevojë për stabilitet demokratik, për unitet dhe ikje nga ndasitë politike përjashtuese, për dialog e bashkëpunim, për reforma dhe forcim të institucioneve kushtetuese, për politika të urta, të mira dhe qytetare dhe, në këtë rrugë, ka nevojë për kontributin dhe fjalën e gjithsecilit, për më shumë mirëqenie dhe demokraci cilësore e funksionale.I ndërgjegjshëm për këto nevoja dhe vlera demokratike mbetem, në mbështetje të plotë të rotacionit demokratik, energjive dhe prurjeve të reja në krye të shtetit, në institucione, në parti politike dhe në sistemin politik përfaqësues- deklaroi Topi.
Në përfundim të fjalimit, kreu i Shtetit tha se qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë, pasi postet politike e shtetërore shkojnë e vijnë, por qytetarët dhe shteti, interesat e tyre publike e kombëtare, janë e mbeten aty si pasuria më e madhe, burimi më i madh frymëzues, arsyeja më e madhe për ta kuptuar shërbimin ndaj tyre si privilegj dhe fat.
/IDEA/