E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i varfërisë

Jetesa me 1.42 euro në ditë për 37 për qind të popullsisë në Kosovë dhe më pak se 93 centë në ditë për 15 për qind të popullatës në varfëri ekstreme, mund të jetë edhe më e keqe. Hulumtimi i Institutit për politikë sociale, “Asistenca Sociale dhe Varfëria në Kosovë” i realizuar në terren, ka treguar se shifrat e mëhershme të institucioneve të ndryshme për shkallen e varfërisë në Kosovë, ndryshojnë dhe besohet të jenë edhe më frikësuese. Këtë pohim ky institut e mbështet në zvogëlimin e familjeve të cilat kanë qenë nën asistencë sociale.

“Nëse në vitin 2001 ishin gjithsej 657,573 familje përfituese të kësaj ndihme, në vitin 2008 ishin 427,398 familje përfituese të ndihmës sociale”, thuhet në hulumtim.
Sipas hulumtimit, gjithnjë duke iu adresuar vlerësimeve të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë, del se të gjitha familjet që përfitojnë asistencën sociale jetojnë në varfëri ekstreme. Kur kësaj shifre i shtohet edhe numri i familjeve që për shkaqe të kufizimeve ligjore nuk kanë qenë përfituese të asistencës sociale, ky numër rritet edhe më shumë.
“Nëse një person jeton me më pak se 93 centë në ditë, atëherë ai është i kategorizuar se jeton në varfëri ekstreme”, tregon ky raport mbi varfërinë.

Drejtori i Departamentit të Institutit për Politika Sociale, Gafurr Podvorica, thotë se në Kosovë nuk ka një burim të saktë në lidhje me shkallën e varfërisë, duke përjashtuar me këtë rast studimin e Bankës Botërore.

“Shkalla e varfërisë në vend mund të ketë ndryshuar, pozitivisht apo negativisht, këto janë përmasa që ne nuk i kemi të njohura, fatkeqësisht”, tha Podvorica.

Nga ana tjetër, shkaqet e varfërisë nga hulumtuesit janë përmbledhur në dy faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm. Në të parin bëjnë pjesë pengesat tregtare dhe shkallëzimi doganor, mungesa e sovranitetit dhe e kontrollit dhe borxhi i huaj, kurse në grupin e dytë hyjnë korrupsioni, politikat ekonomike dhe migracioni.

Eksperti për çështje sociale, Naip Skënderi, thotë se varfëria në Kosovë ndryshon nga vendet e tjera. Në vendin tonë kjo fjalë nënkupton mungesë të gjerave elementare për jetesë, duke u nisur nga banimi, ushqimi, veshmbathja dhe strehimi.

“Nëse varfëria kalon shifrën 10 për qind atëherë alarmi duhet t’i jepet Qeverisë. Por nëse varfëria kalon katërfishin e kësaj shifre, sikur është në Kosovë, atëherë Qeveria duhet ta sinjalizojë vetveten”, tha Skënderi.

Ndërkohë, për zbutjen e varfërisë, sipas tij, duhet aktivizuar të gjithë mekanizmat institucionalë në këtë drejtim.

“Jam i sigurt se po të bëhej një liberalizim i vizave në Kosovë, gjysma e popullatës do të shkonin për Evropë”, thekson Skënderi.

Gjendjen edhe me të vështirë e ka bërë Ligji mbi skemën e ndihmës sociale, sipas të cilit, familjet që nuk kanë fëmijë nën moshën pesëvjeçare përjashtohen nga asistenca sociale. Bartësi i këtij hulumtimi, Bajrush Ibishi, ka thënë se shumë familje që janë hulumtuar, kanë qenë në gjendje të mjerueshme financiare në kohën kur u është ndërprerë ndihma. Madje, duke sjellë përvojën e një familjeje të anketuar, sipas tij, kryefamiljarët kanë gjetur forma të tjera për t’i ikur përjashtimit nga asistenca.

“Ka raste kur prindërit lindin fëmijë, vetëm e vetëm që ta marrin ndihmën sociale’, pohon Ibishi. Megjithëkëtë, Instituti përmes hulumtimit kërkon nga institucionet e Kosovës për ndryshimin e Ligjit mbi skemën e ndihmës sociale për shkak se çështja e trashëgimisë së pronës paraqet një problem tjetër. Gjithashtu, rekomandohet që të mos ekzistojë kriteri i moshës së fëmijëve pesë vjet, sepse nga kjo moshë fëmijët fillojnë të shkojnë në shkollë dhe shpenzimet familjare shtohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›