E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi i verdhëzës, të miturit braktisin kopshtin

Alarmi për epideminë e verdhëzës, ka sjellë mbylljen e kopshtit të fëmijëve në qytetin e Burrelit. Kështu, prej një jave, më shumë se 100 fëmijë në Burrel, nuk frekuentojnë kopshtin nr.2 në lagjen "Pjetër Budi". Alarmi për një epidemi të mundshme verdhëze aty, nisi që të premten e javës së kaluar, kur një fëmijë i këtij kopshti, ka rezultuar i prekur nga sëmundja e verdhëzës. Prindërit e fëmijëve të tjerë, pasi kanë mësuar se një nga fëmijët e kopshtit është prekur nga verdhëza, janë detyruar që t‘i mbajnë të vegjlit e tyre në shtëpi, për t‘i ruajtur nga sëmundja ngjitëse. Por autoritetet e shëndetësisë, arsimit dhe Bashkisë së Burrelit, mohuan ekzistencën e një epidemie të tillë. Sipas tyre, alarmi se në këtë kopsht ka epidemi verdhëze është i rremë. Rasti i javës së kaluar ku një fëmijë i këtij kopshti rezultoi me verdhëz, sipas tyre, është sporadik dhe krejt i rastësishëm, me origjinë jo nga kopshti. Drejtoria e Higjienës pranë spitalit të Burrelit, ka dezinfektuar të gjitha ambientet, dhe u ka bërë thirrje prindërve, që t‘i dërgojnë pa frikë fëmijët në kopsht, pasi nuk kemi të bëjmë me një epidemi. Shefi i Higjienës, Xhezmi Dika, dhe drejtori i zyrës arsimore, Flamur Stafasani, sqaruan se nuk kemi të bëjmë me epidemi, por me raste sporadike të prekjes së fëmijëve të fshatit e qytetit nga verdhëza. Këto kryesisht vijnë nga uji i pijshëm, ku në shumë raste është i kontaminuar me ujërat e zeza. Por, edhe pse u bë një javë nga bojkotimi i kopshtit prej fëmijëve, prindërit vazhdojnë të jenë të frikësuar për rikthimin e të miturve në të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›