E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet "në shpirt" dhe dosjet në trup

Eshtë përfolur se dosjet janë në Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Slloveni, Maqedoni etj. Dhe janë edhe në ato vende. Por, kryesorja, janë edhe në Kosovë. Dosjet këtu e bëjnë "jetën e tyre" haptas e mbylltas. Dhe, një nga vendet është edhe Arkivi i Kosovës! Nuk e di "rregullin" e hapjes së atyre dosjeve që gjenden në këtë arkiv. Me shkas, vite më parë, po jo më shumë se para 7-8 vjetësh, pata një qasje të rastësishme, ku sipas "rregullit" edhe e mbyll në vetvete për dosjen e prindit, për çka ajo dhe mijëra të tjera janë aty ku shumëçka ndriçohet me dokumentacion. Dhe edhe me fotografi!

Disa dosje rihapen vetvetiu! Vdekja e prof. Zekeria Canës etj., dhe rrahja e Mulla Osmanit vetvetiu na e rikujton rihapjen e bisedës (dosjes) se ata ishin nga të vetmit që në mënyrën e tyre bënë të pamundurën që të ishin pranë kufomave të masakruara të familjes legjendare të Jasharëve, në momentet kur i kishin vënë në një depo në hyrje të Skënderajt. Dhe nëse dikush do të vërë një drejtësi në vend dhe assesi për ndonjë hakmarrje, atëherë përditshmëria krijon "elementin" e rikthimit në të kaluarën e largët e të afërme vetëm për ta shpjeguar. Sikurse qëllimi i këtij shkrimi nga "periferia" së paku për ta rikujtuar në vetvete!

Thuhet se ai që e fyen tjetrin, e fyen vetveten! Mos ia bëj tjetrit, se të kthehet edhe ty! Në këtë jetë të kthehen të gjitha! E mira dhe e keqja! Dhe tashmë uvertura e dosjeve! Ngado që të nisesh dhe ngado që të mbërrish në Kosovë, për të dhe në të, gjen gjithfarë fenomenesh "eksperimentuese"! Dosjet janë të prekshme në të dyja dimensionet kuptimore, si objekt dhe subjekt! Dikush mund të ngushëllohet se është një uverturë që do të dështojë! Dikush tjetër mezi pret që të hapen dosjet! Ndërkaq, të tretët janë strukur për ta "pritur" efektin! Në mesin e tri "shtresave" nuk ka limite, sepse riidealizmi (neoidealizmi) "demokratik" i shfytyron qëndrimet! Një anë nga frika dhe në anën tjetër nga hakmarrja! Në debatet e ditëve të fundit nuk shoh dritë në tunelin e pafund! Ca shkëndijëza "ad hoc" sikur nënkuptohen, por kur rilexohet nënteksti, asnjë iniciativë bindëse! Propozime më kontradiktore! Pro hapjes! Kundër mbylljes së dosjeve! E njëjta qenka! Le të hapen. Le të dihen, por vetëm jo hakmarrje! Së paku kërkim-falje! Viktima fal! Por, ç‘e do kur shumica prej tyre tashmë nuk janë në jetë; çfarë e do kur në disa nivele vendimmarrëse të qeverisjes "demokratike", të rehabilituar, vazhdon të ketë emra "xhelatësh", apo dosjet e tyre nuk flasin mirë! Dhe janë aq të kamufluar, saqë nga realiteti i së kaluarës dhe i veprimtarisë së prindërve të tyre bëjnë lëshime! Dhe lëshimi më i madh, kompensimi vërehet te gjeturia "profesionale" së pari politike e pastaj gazetareske, në shpjegimin e historisë sonë të afërme!

Shembulli i parë më i gjatë

Për të mos qenë edhe aq konspirativ, e njëjta dosje që e kemi ruajtur përgjatë saktësisht 50 vjetëve mund të gjendet po në Arkivin e Kosovës, po kuptohet atje edhe me sekretet që i kemi përjetuar përgjatë dekadave: përgjatë viteve të shtatëdhjeta ishim të licencuar heshturazi (askund prindi nuk u punësua, sepse hapej dosje çdo ditë dhe ata që hapnin ishin në pushtet, dhe edhe sot janë në pushtet), në vitet e tetëdhjeta bisedohej vetëm në familje, në vitet e nëntëdhjeta ndiheshim krenarë të heshtur, pa pasur forcën e hapjes së dosjeve (ka pasur edhe intelektualë që nuk morën guximin të lexonin gjatë varrimit (!!!), por vetëm publicisti P. Buzhala shkroi në "Bujkun" e atëhershëm "Homazh përditshmërie: Rrëfim për njerëzit durimtarë") dhe tashmë, kur po flitet për dosje, ato gjenden edhe në Arkivin e Kosovës dhe, te dikush, edhe në mbamendjen e ndonjë të moshuari.

Po, çka se kjo nënkuptohet si ekzistencë në kohë! Por, e keqja qëndron se dosja e së kaluarës së afërme është aq e afërme, saqë e kemi "në shpirt" dhe në trup.

Shembull është ekzistuese: sa e sa të quajtur intelektualë, që e ushtrojnë pushtetin e politikanit, të mësimdhënies, të mjekut, etj., mund të vlejë barsoleta: të kisha ditur se qenka kaq i lehtë fakulteti, do ta kryeja shkollën e mesme! Të kenë ndjesë në këtë qindra e mijëra të persekutuar përgjatë shekullit XX që vërtet janë detyruar ta ndërpresin edhe shkollën e mesme për shkak të licencimit dhe largimit të dhunshëm nga shkolla. Edhe ata kanë dosje!

Shembulli i dytë më i shkurtër

Në fund të vitit 2006, në BKU(R)K u mbajt një akademi kushtuar Ramadan Shabanit (1861-1931), ku, sa më kujtohet, patën folur: Jusuf Bajraktari, Lush Culaj, Tahir Foniqi, pastaj Sali Bashota, Kolë Berisha, Mustafë Gashi, Cen Desku etj. Dhe aty historianët patën folur gjatë në referimet e tyre jo vetëm për personalitetin e Ramadan Shabanit. Dosja e personalitetit Ramadan Shabani edhe sot interpretohet për mençurinë e atdhetarizmit e jo vetëm të tij, po të kësaj familjeje nga Kijeva! Po çfarë e do, që e kemi dosjen e këtij fshati përgjatë luftës së fundit?! E kemi në mbamendjen tonë, sikurse edhe të vetë Hollbrookut kur e bën me dije diplomacinë botërore në aspektin ushtarak: është vendi më i rrezikshëm në botë!

Post Scriptum

"Propaganda" mediale e ka vështirë t‘i hapë dosjet! Dhe të propagandojë qëndrimet gjoja konform politikës redaktuese të ndonjë mediumi ditor, deri aty sa edhe të hapë debat! Ajo i shkon në të mirë të shprehjes së mendimit të lirë, që herë-herë degjenerohet në "prononcime" ad hoc dhe që përmbysin të vërtetën. Nuk them që të kthehemi prapa me iniciativat e "eksperiment dosjesh", sepse edhe nuk jemi pjekur siç duhet. Si një e tillë, sikur po bëhet përpjekje për hapjen e "dosjes" së identitetit ("kosovar"), pastaj të "dosjes" së gjuhës, të heroit kombëtar, Skënderbeut, "dosjes" të rrënjës së gjenit etj., dhe një ditë edhe të alfabetit, të "dosjes" së ishullit të Atlantidës etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›