E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, rreth 600 pacientë humbën jetën në një vit

Plot 597 pacientë kanë humbur jetën brenda ambienteve të spitalit "Nënë Tereza" gjatë vitit 2008. Mesatarisht, rezulton se 1 deri në 2 pacientë humbasin jetën çdo ditë, në një nga klinikat e spitalit universitar të Tiranës. Numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në urgjencën e kardiologjisë, pediatrisë, si dhe në reanimacion. Në analizën vjetore të Qendrës Spitalore, vdekjet në reanimacion, janë komentuar si një tregues i mirë.

Kjo për faktin se vdekjet në këtë shërbim, tregojnë se ka pasur një përkujdesje për pacientët dhe një trajtim rigoroz të tyre, për shkak se ky konsiderohet si stadi i fundit i shërbimit mjekësor.

Një pjesë e mirë e vdekjeve të regjistruara kanë qenë për sëmundje të rënda, si tumoret, por edhe ato të aparatit tretës, të problemeve të zemrës, të sëmundjeve të vështira për t‘u trajtuar, në mënyrë të veçantë kur ndodhen në stade të avancuara. Sipas drejtoreshës së QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, gjatë vitit 2008 janë vërejtur rritje të pacientëve me tumore malinje, në mënyrë të veçantë të kancerit të gjirit. Po ashtu edhe në vitet e mëparshme janë regjistruar të njëjtat të dhëna me progresion ngjitës. Numri i vdekjeve të regjistruara në spital ka qenë rreth 500. Brenda dy vjetëve në spital kanë humbur jetën 1287 pacientë. Zyra e statistikave në informacionet e ruajtura në arkiv ka regjistruar se nga janari i vitit 2004 e deri në janar të vitit 2007, gjatë dy viteve kalendarike, në spital janë paraqitur më shumë se 110 mijë pacientë. Pavarësisht të dhënave apo statistikave të akumuluara gjatë viteve, në vendin tonë nuk bëjnë ende pjesë në statistika, numri i vdekjeve si pasojë e gabimeve mjekësore, e mungesës së teknologjive për trajtim apo diagnostikim të gabuar.

Duke vijuar me të dhënat e bëra publike në analizën vjetore të spitalit për vitin 2008, ditëqëndrimi mesatar i pacientëve ka qenë 6.5 ditë, shfrytëzimi i shtretërve ka qenë 70 për qind, ka pasur 597 vdekje. Në sallat e kirurgjisë, në spitalin "Nënë Tereza" janë kryer më shumë se 18 mijë operacione, ka pasur më shumë se 22 mijë urgjenca. Më shumë se 50 për qind e operacioneve janë kryer për pacientët e ardhur nga rrethet. Rreth 13 mijë operacione kanë qenë për rastet tumorale dhe 8 mijë operacione janë kryer vetëm për pacientët e kryeqytetit. Mes pacientësh janë konstatuar më shumë se 1 mijë anomali të lindura.

Në harkun kohor të një viti në klinikat e spitalit, janë evidentuar të qarkullonin mikrobe si: pseudomonas, stafilokok, proteus.

Të gjitha këto mikrobe në rast se prekin pacientë të sëmurë, arrijnë të përkeqësojnë ndjeshëm gjendjen e tyre shëndetësore, duke rritur kështu ditëqëndrimin e tyre në spital, si dhe duke shtuar koston e mjekimit. Po ashtu, sipas statistikave të bëra publike, spitali "Nënë Tereza" ka pritur 26 mijë pacientë të ardhur nga rrethet dhe 24 mijë shtrime nga Tirana.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›