Nis kontrolli i dyqaneve pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme
Plot 60 tonë ushqime me data skadence të kaluara janë sekuestruar dhe më pas asgjësuar për vitin 2008 nga Inspektorati i Ushqimit në Fier. Mallrat ushqimorë kanë qenë kryesisht konserva, biskota, çokollata, pije etj., që u kishin kaluar afatet e përdorimit. Sipas drejtuesit të Inspektoratit të Ushqimit në Qarkun Fier, Mirosh Seitaj, nisur nga ky fakt, njësitë tregtare, si të voglat, por sidomos ato të shumicës, do të jenë në qendër të vëmendjes për të mos lejuar tregtimin e artikujve me data skadence të kaluara, por edhe për të garantuar cilësinë ushqimore për konsumatorin. Në të njëjtën kohë edhe artikujt e importit nuk do të lejohen të tregtohen pa etiketa të përkthyera në gjuhën shqipe. Në rast të kundërt do të merren masa për njësitë ushqimore "të pabindura" deri në bllokim të aktivitetit. "Gjatë vitit 2008, Inspektorati i Ushqimit në Fier, ka pohuar Seitaj, ka ushtruar kontrollet në subjektet e shumicës, që tregtojnë produktet ushqimore. Gjatë këtyre kontrolleve në rang qarku, Lushnjë e Mallakastër janë sekuestruar rreth 60 tonë produkte ushqimore, të cilat ishin në përfundim të afatit të skadencës. Këto mallra ishin kryesisht të preferuarat për fëmijët: si çokollata, biskota, patatina, konserva etj. Këto produkte janë sekuestruar nga ana jonë dhe në bashkëpunim me inspektoratet e Bashkisë dhe Institutit të Higjienës është bërë asgjësimi i tyre, si dhe kontrolli i magazinave ushqimore të shumicës dhe pakicës. Në rast se konstatojmë nëpër magazinat ushqimore mallra me afat drejt skadencës, këtyre magazinave do t‘u bllokohet aktiviteti dhe do të merren masa administrative".
Njësitë tregtare, veçanërisht ato që tregtojnë artikuj të pëlqyer për fëmijët dhe pranë institucioneve shkollore, do të jenë në mënyrë të vazhdueshme nën presionin e kontrolleve me qëllim garantimin cilësor për shëndetin e nxënësve të shkollave.
Njësitë tregtare, veçanërisht ato që tregtojnë artikuj të pëlqyer për fëmijët dhe pranë institucioneve shkollore, do të jenë në mënyrë të vazhdueshme nën presionin e kontrolleve me qëllim garantimin cilësor për shëndetin e nxënësve të shkollave.