Alarmi i zjarreve në pyje, mblidhet Shtabi i Emergjencave Civile në Korçë
Alarmi i zjarreve në pyje ka mbërritur edhe në juglindje, mblidhet Shtabi i Emergjencave Civile. Për herë të parë në këtë stinë të nxehtë është mbledhur Shtabi i Emergjencave për masat parandaluese për zjarret në pyjet dhe parqet kombëtarë të rajonit. Prefekti i porsa emëruara i Korçës Koço Bello ka mbledhur strukturat shtetërore dhe drejtuesit e ndërmarrjeve pyjore, përfaqësues të policisë së shtetit, por dhe specialistët e emergjencave për të shpejtuar në marrjen e masave për luftën kundër zjarreve, në mënyrë të veçantë ndaj zjarrvënieve të qëllimshme.
Sipas prefektit Bello vetëm gjatë vitit të kaluar në qarkun e Korçës janë kthyer në hi rreth 200 hektarë pyje, teksa më të kërcënuar vazhdojnë të mbeten parqet natyrorë në pyjet e Dardhës, Voskopojës, Liqenasit etj,. Prefekti i Korçës ka urdhëruar bashkë me reagimin në kohë të strukturave në raste emergjente masa të menjëhershme për të mos shkuar deri në startin e vatrave të zjarrit, që mund të nxiten kryesisht nga shkaqe natyrale përveç të tjerave. Temperaturat e larta deri në 30 gradë celsius janë shqetësuese për qarkun e Korçës, ndërkohë që Shtabi i Emergjencave për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret e ngritur këtë fillimjavë do të nisë nga puna në terren. Prefekti iu ka kërkuar drejtuesve të njësive vendore si dhe policisë pyjore të bashkërendojë veprimet e saj me policinë e shtetit, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen më të përgjegjshëm për të mbrojtur këtë pasuri kombëtare, ndërsa sipas tij të gjithë piromanët do të përfundojnë në burg. Gjatë vitit të kaluar sipas Bellos vatrat e zjarreve kanë ardhur kryesisht nga zjarrvënës të qëllimshëm ku ka patur dhe 5 të arrestuar.