Tenderat e uniformave, 1.7 mld do ndaheshin në pesë pjesë

Prokuroria thotë se nga hetimi është provuar se një nga biznesmenët do paguante gjysmën e rryshfetit dhe do merrte gjysmën e tenderave
Ish- drejtori i Ministrisë së Brendshme, nën akuzë për korrupsion, bashkë me 5 biznesmenë. Të pandehur si persona fizikë edhe subjektet e tregtarëve
TIRANË- Pas më tepër se gjashtë muaj hetim nga Njësia e Task-Forcës në prokurorinë e kryeqytetit, ajo mbylli hetimin duke argumentuar si të zbardhur çështjen e paracaktimit të fituesit të tenderit 1.2 milionë euro me objekt "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre" për Ministrinë e Brendshme.
Abuzimi qëndron në faktin e pagesës së 10 për qind të shumës së tenderit që shkonte në xhepin e Bujar Muratit, ish- drejtor i Përgjithshëm i Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme.
Mbyllja e hetimit, konfirmohet nga burime të prokurorisë së Tiranës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila nëpërmjet shortit elektronik ka caktuar gjyqtaren Antonela Prendi për gjykimin e çështjes.
Sipas kërkesës për gjykim të prokurorit Julian Xhengo, të siguruar nga "Shekulli", mësohet se dosja përmban 12 të pandehur, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe role të ndryshme kanë konsumuar katër vepra të ndryshme penale gjatë përgatitjes dhe më pas shpalljes së fituesit të tenderit me vlerë 1.2 milionë euro.
Të pandehurit e kësaj dosjeje, janë ish- drejtori i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Bujar Murati, ndërmjetësi mes të pandehurit Murati dhe biznesmenëve i pandehuri Redi Popescu ish-punonjës i Ministrisë së Integrimit, biznesmenët Artan Berberi, Agur Sadiku, Jani Gjergjefi, Festim Bashallari, Ilir Sulo.
Po kështu janë marrë në cilësinë e të pandehurve edhe shoqëritë e tyre si persona juridikë, "Euro 2001"; "Sadiku"; "Gjergjefi"; "Malbertex" dhe "Bashllari".
"Nga hetimet disa mujore, ka rezultuar se më datën 3 shtator 2009, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka publikuar njoftimin për procedurat e prokurorit të fondit publik me objekt "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit prej 175 milionë lekë e cila do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme.
Ky prokurim është ndarë në 14 lote, sipas llojeve të uniformave dhe veshmbathjeve që u nevojiteshin institucioneve si Ministria e Mbrojtjes, Garda e Republikës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Brendshme, Kapitaneria e Përgjithshme e Porteve etj"-thuhet në kërkesën për gjykim.
Me të publikuar këtë tender, biznesmenët tashmë të marrë si të pandehur Berberi, Gjergjefi, Bashallari dhe Sulo janë takuar në një lokal në rrugën e "Barrikadave" në afërsi të kryqëzimit me unazën dhe me marrëveshje mes tyre, kanë paracaktuar lotet në të cilat ata do konkurronin dhe do dilnin fitues në përfundim të procedurës.
"Ata kanë rënë dakord me njëri-tjetrin që, për të garantuar realizimin e kësaj marrëveshjeje, të jepnin një shumë prej 5 për qind të vlerës limit të loteve përkatëse ndërsa i pandehuri Sulo do jepte shumën e ngelur prej 5 për qind të tjera për shkak se ky i fundit do fitonte edhe lotin me vlerën më të madhe nga të gjitha shoqëritë e tjera.
Këto shuma parash ata do ia jepnin të pandehurit Bujar Muratit me qëllim realizimin e marrëveshjes në fjalë dhe i pandehuri Sulo ka marrë përsipër që të jetë ai personi i kontaktit me drejtorin e prokurimeve në Ministrinë e Brendshme nëpërmjet të pandehurit Popescut, pasi kishin shoqëri të përbashkët"-thuhet në dosje.
Me të bërë marrëveshjen mes tyre, i pandehuri Sulo ka kontaktuar me të pandehurin Murati i cili i ka kërkuar 10 % të vlerës së të gjithë shumës së tenderit me 14 lote. "Për të fituar këtë tender kishin konkurruar gjithsej 12 kompani, mes tyre edhe të të pandehurve. Në përfundim të procedurave të tenderimit Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur fitues të pandehurit ashtu siç ishte bërë marrëveshja kohë më parë.
Por, mbi bazën e ankesës së bërë nga administratori i një kompanie që u skualifikua Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur anulimin e procedurës së prokurimit të fondeve publike të fituesve të këtij tenderi së bashku me shkresën e titullarit të Autoritetit Kontraktor (Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme) që argumenton shkeljet e kryera në shpalljen e fituesve të këtij tenderi.
Kërkesa për gjykim, përgjime për të akuzuarit
Në kërkesën për gjykim, prokurori Julian Xhengo ka përpiluar gjithashtu edhe një sërë përgjimesh telefonike dhe zbardhje të bisedave të kryera mes të pandehurve mes tyre dhe me drejtorin Bujar Murati e ndërmjetësin Redi Popeskut.
Nga të gjitha këto biseda, rezulton se të pandehurit bënin "pazarin" mes tyre për mënyrën e pagesës dhe ndarjes së shumave të lekëve nga të pandehurit. Gjithashtu, në dosje rezulton edhe rasti i "zënkës" mes të pandehurit Sulo dhe pronarit të kompanisë ankuese, ku i pandehuri Sulo nuk ka kursyer edhe fjalë fyese në adresë të tij.
Përveç këtyre detajeve të dosjes, prokuroria ka arritur të provojë edhe pamje filmike e fotografi nga vëzhgimi i oficerëve të policisë, të takimeve mes të pandehurit Sulo dhe Murati e Popesku.
"Nga raport- shërbimi mbi vëzhgimin e kryer në datën 16 shtator 2009, rezulton se në këtë datë, në orën 18:25, i pandehuri Sulo i cili mbante me vete një zarf të palosur është takuar me të pandehurin Murati në një bar në afërsi të stadiumit "Dinamo".
Më pas në ora 18:45 minuta është afruar te makina e të pandehurit Murati i pandehuri Sulo i cili ka hyrë brenda makinës, dhe pasi kanë ecur për 20 metra ka zbritur i pandehuri Sulo duke lënë brenda makinës zarfin me mbi 40 mijë dollarë të cilin i pandehuri Murati e ka futur në kroskot të makinës dhe është larguar.
TË PANDEHURIT DHE AKUZAT:
Ilir Sulo, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim
Personi juridik "EURO 2001" me pronar Ilir Sulo, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryera në bashkëpunim
Agur SADIKU, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", në bashkëpunim
Personi juridik "SADIKU" me pronar Agur Sadikun, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer në bashkëpunim
Jani GJERGJEFI, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", në bashkëpunim
Personi juridik "GJERGJEFI" me pronar Jani Gjergjefi, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryera në bashkëpunim,
Artan BERBERI, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", në bashkëpunim
Personi juridik "MALBERTEX" me pronar Artan Berberi akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer në bashkëpunim,
Festim BASHLLARI, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", në bashkëpunim
Personi juridik "BASHLLARI" me pronar Festim Bashllari, akuzohet për "Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer në bashkëpunim,
Bujar MURATI, me detyrë ish-Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, akuzohet për "Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Mbajtjes së municionit luftarak pa lejen e organeve kompetente".
Redi POPESCU, me detyrë ish-punonjës i Ministrisë së Integrimit, akuzohet për "Moskallëzim të krimit".
LOTET E TENDERIT
Loti I : Blerje Këmisha për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit 13 756 811 lekë.
Loti II : Blerje Grada dhe Simbole për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit 6 887 126 lekë.
Loti III : Blerje Kostume për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit 79 816 732.33 lekë.
Loti IV : Blerje Bluza, Pulovra, Triko për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit 10 826 017 lekë.
Loti V : Blerje Xhupa, Xhakovenda, Pardesy për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e
Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit 13 500 104 lekë.
Loti VI : Blerje Rrypa për Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit 1 687 917 lekë.
Loti VII : Blerje Doreza,Kravata,Shalle për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit 3 687 285 1ekë.
Loti VIII : Blerje Peshqirë,Çarçafë, Batanije për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Gardën e Republikës, me fond limit 13 756 811 lekë.
Loti IX: Blerje uniforma pune dhe elementë të tjerë përbërës të tyre për Drejtorinë Riparim, Furnizim Tiranë dhe Gardën e Republikës me fond limit 903 333 lekë.
Loti X: Blerje uniforma për Ministrinë e Brendshme,Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile me fond limit 3 milionë lekë.
Loti XI : Blerje uniforma,veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre për Kapitanerinë e Përgjithshme të Porteve me fond limit 2.5 milionë lekë.
Loti XII : Blerje veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre për Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë me fond limit 1 milionë lekë.
Loti XIII : Blerje Uniforma Sportive dhe element të tjerë për Shkollën Kombëtare të Futbollit "Loro Boriçi" , Shkollën Kombëtare të Futbollit "B. Qerraxhia",Repartin 712 FNSH Tiranë dhe Repartin RENEA me fond limit 4.8 milionë lekë.
Loti XIV: Blerje veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre për institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë me fond limit 28.6 milionë lekë.