E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, numri i vetëvrasjeve në Shqipëri, më i lartë se ai i vrasjeve

Duket se vetëvrasja në vendin tonë tashmë është kthyer në modë, duke qenë se numri i tyre është ndejshëm më i lartë edhe se i vrasjeve. Sipas policisë, gjatë tetë viteve të fundit, në vendin tonë numërohen plot 2502 persona që i kanë dhënë fund jetës së tyre, duke u vetëvrarë. Ndërkohë, krahasuar me vrasjet, numri i vetëvrasjeve gjatë këtyre tetë viteve të fundit ka qenë 235 viktima më shumë. Të rinjtë janë edhe grupmosha më e prekur nga ky fenomen.

Statistikat

Statistikat e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se që nga viti 2000 e deri më tani numërohen 2502 persona që kanë kryer aktin e vetëvrasjes. Krahasuar me vrasjet, gjatë këtyre tetë viteve, ka pasur 235 viktima më shumë nga vetëvrasjet. Sipas burimeve të policisë, ky fenomen prek më tepër grupmoshën nga 16 deri në 25 vjeç. Ndërkohë, specialistë të Ministrisë së Brendshme kanë ngritur shqetësimin lidhur me mënyrën e vetëflijimit. Kjo, duke qenë se ka më shumë persona që vetëflijohen me fostoksinë sesa ata që vetëvriten me armë zjarri. Sipas të dhënave statistikore, janë 276 rastet e vetëflijimit me helmim, 273 rastet me varje dhe 119 rastet me armë zjarri. “Nëse më parë ka patur një përdorim të madh të armëve të zjarrit për vetëvrasje, tani është rritur varja dhe helmimi. Në rrugët e Tiranës mund të marrësh helm shumë kollaj”, - bëjnë të ditur specialistët për vetëvrasjet në Ministrinë e Brendshme. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë gjatë ditës së djeshme thirrje për nxitjen e programeve që parandalojnë vetëvrasjet. Në një tryezë të organizuar nga kjo e fundit, është diskutuar edhe roli i medias gjatë transmetimit të një vetëvrasjeje, që sipas tyre, shpeshherë, e dhënë në detaje, ajo ndikon në nxitjen e tyre. “Është momenti për të filluar parandalimin e vetëvrasjeve. Për këtë ka një sërë programesh, por kryesisht duhet të punojmë për eliminimin e nxitjes së vetëvrasjeve. Ne kemi vërejtur se media mund t’i nxisë ato”, - tha Alban Ylli, Drejtor i ISHP. Për parandalimin e vetëvrasjeve është hedhur edhe ideja e vënies në funksion të linjave telefonike me psikologë, ku personat që tentojnë të kryejnë këtë akt, të mund të komunikojnë me psikologët.

Analiza

Në analizën 6-mujore të punës së policisë për këtë vit, që u krye pak kohë më parë, problem më i madh kanë qenë vetëvrasjet. Kështu, shqetësim kryesor në punën e policisë mbeten vetëvrasjet, duke qenë se vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, kanë ndodhur 73 raste vetëvrasjesh, si dhe 15 tentativa. “Mbetet shqetësues shkaktimi i vetëvrasjes. Për këtë periudhë janë evidentuar 73 raste të vetëvrasjes dhe 15 raste të tentativës për vetëvrasje”, - u shpreh gjatë analizës 6-mujore të punës së policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Ndërkohë, bie në sy, që ashtu si edhe gjatë këtyre 8 viteve të fundit edhe për këtë periudhë numri i vrasjeve është më i vogël krahasuar me numrin e vetëvrasjeve. Kështu, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 44 vrasje, teksa 38 prej tyre janë arritur të zbulohen. Nga këto, 24 vrasje kanë ndodhur me dashje, nga të cilat janë zbuluar 20, 17 vrasje janë kryer me paramendim, nga të cilat janë zbuluar 13, si dhe 3 vrasje kanë ndodhur nga pakujdesia, të cilat janë zbuluar që të tria. Numri i madh i vetëvrasjeve shpjegohet nga ana e psikologëve me kushtet e vështira ekonomike, si dhe mangësitë e theksuara të zgjedhjeve në vendin tonë, por edhe zhgënjimet e ndryshme, si dhe strese të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›