E Diel, 1 Nëntor 2026

McCain-Obama, dilema e shqiptarëve

 

Dritan Prifti

Në sondazhet që janë bërë  në SHBA mes shqiptarëve del se ata do të votojnë rreth 80% për John McCain, senatorin nga Arizona dhe kandidatin e Republikanëve për Shtëpinë e Bardhë. Arsyeja kryesore duket se është afërsia që ka senatori demokrat i Illinois, Barack Obama me lobin serb në Amerikë. Zona e Chicago-s në shtetin e Illinois është një qendër e fuqishme e lobit serb në Amerike, ku dhe postin e guvernatorit e mban një amerikan me origjinë serbe, i cili ka pasur dhe ka ndikim të madh në mbështetjen e Obamës në garën presidenciale. Ky fakt është bërë i ditur për shqiptarët pas letrës që Obama i dërgoi presidentit serb Tadiç, të cilën shqiptarët nuk e pëlqyen shumë. Në një nga faqet e preferuara të shqiptarëve në internet www.balkanweb.com shihet qartë sentimenti jo pozitiv për Barack Obamën për lidhjen me lobin serb. Pra, shqiptarët që e dinë këtë fakt nuk do votojnë për Obamën për shkak të nacionalizmit të tyre dhe mbështetjes që gjithë kombi ka për Kosovën dhe pavarësinë e saj, të cilën Obama nuk e kundërshton hapur, por as nuk e mbron hapur siç bën kandidati republikan McCain.
Unë kalova rreth 45 ditë në SHBA këtë verë dhe kam takuar dhe biseduar me shumë shqiptarë, të cilët kishin mendime të ndryshme për 2 kandidatët për Shtëpinë e Bardhë. Shumë shqiptarë në SHBA nuk janë të interesuar për politikën, gazetat e televizionin, nuk i intereson gara presidenciale, por interesohen të jenë mirë, ata vetë dhe familja e tyre. Madje shumë prej tyre nuk janë të regjistruar të votojnë në SHBA për shkak të neglizhencës karakteristike shqiptare, pavarësisht se janë qytetarë amerikanë. Megjithatë lobi shqiptar në SHBA është aktiv dhe në këto zgjedhje presidenciale. Në kohën kur në garën e demokratëve ishte Hillary Clinton, shumica e shqiptarëve ishin mbështetës të saj dhe do të mbeteshin deri në fund nëse ajo do ishte kandidatja zyrtare demokrate për Shtëpinë e Bardhë. Pas eliminimit të znj. Clinton nga gara, faktori shqiptar në SHBA është ndarë sipas preferencave dhe lidhjeve me të 2 kandidatët për president.
John McCain dhe Barack Obama janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe preferenca në votë për shqiptarët do të jetë shumë personale. Barack Obama është një afrikano-amerikan që ka 3 vjet senator kombëtar në Washington dhe ka qenë 8 vjet senator i shtetit të Illinois. Ai ka prejardhje myslimane nga babai, i cili ka qenë nga Kenia, por pastaj Barack Obama është kthyer në kristian dhe frekuenton një kishë të komunitetit afrikano-amerikan në Chicago. Ai është një njeri me ngjyrë i lindur nga një baba nga Kenia dhe një nënë e bardhë amerikane. Barack jetoi në Kenia 2 vjetët e parë të jetës pastaj shkoi në Amerikë tek gjyshërit e nënës së tij. Pasi nëna e tij u martua për herë të dytë me një qytetar indonezian, ai shkoi të jetonte atje deri në klasën e 3 ose 4 fillore. Pastaj u kthye në SHBA përsëri tek gjyshërit e nënës në Hawai ku kaloi dhe fëmijërinë. Shkollat që ka bërë Obama, që nga Hawai dhe deri tek juridiku në Harvard kanë qenë më të mirat në SHBA. Ai ka punuar pas shkollës si punonjës social në ndihmë të komunitetit në Chicago deri sa vendosi të hyjë në politikë duke kandiduar për senatin e shtetit të tij. Obama është 47 vjeç. Ai është energjik, shumë karizmatik dhe mbase oratori më i mirë në politikën amerikane që nga koha e Ronald Reganit. Obama ka tërhequr amerikanët me forcën e fjalës së tij. Obama ka qenë i aftë të mbledhë fonde dhe të sigurojë mbështetje për fushatë më shumë se çdo kandidat tjetër demokrat deri tani. Paratë, Obamës nuk i mungojnë. Ai harxhon rreth 70 milionë dollarë në muaj në fushatën e tij dhe ka pasur mbi 1 milion donatorë privatë, që kanë dhuruar shuma të konsiderueshme për fushatën e tij. Obama është shumë popullor me shtresën e afrikano-amerikanëve, mbështetjen e të cilëve e ka 95%, por dhe me shtresat e punëtorëve, apo të rinisë. Obama është kandidati i majtë në SHBA që përfaqëson shtresat në nevojë dhe klasën e mesme. Obama 47-vjeçar, zgjodhi senator Joe Biden të Delaware për Zv.President, një 65-vjeçar me 35 vjet eksperiencë në Senat, i cili është kryetar i komisionit të jashtëm në Senatin amerikan. Senatori Biden plotëson Obamën në eksperiencën ndërkombëtare, të cilën Obama nuk e ka, dhe për të cilën amerikanët ndjehen keq. Kritikat më të mëdha për Obamën janë për mungesën e eksperiencës së tij. Republikanët thonë se nuk mund të drejtojë Amerikën një njeri që ka 3 vjet eksperiencë në politikën kombëtare si senator. Republikani Giuliani, ish-kryetar bashkie i New York-ut, i tha Obamës që, ai s’ka drejtuar kurrë asnjë institucion, s’ka asnjë ditë eksperience ekzekutive. Kjo është e vërtetë për Obamën. Ai nuk ka pasur asnjë ditë eksperiencë ekzekutive dhe kjo i bën amerikanët shumë hezitues për t’i dhënë atij detyrën më të rëndësishme dhe më të fuqishme në Botë, atë të Presidentit të SHBA-së. Mungesa e eksperiencës është shqetësuese për Obamën. Kandidatja për zv.presidente Republikane, Sarah Palin e sulmoi Obamën duke thënë që Shtëpia e Bardhë nuk mund të jetë trajnim në detyrë për Obamën. Ai shpreson se Joe Biden me eksperiencën e tij 35-vjeçare në Washington do ta ndihmojë atë në pikën e tij më të dobët, eksperiencën në punë. Obama deri tani ka qenë në krye sipas sondazheve ditore të Gallup. Ai sot është 2% më shumë se McCain në garën për president. Avantazhin e Obamës e favorizon emri shumë i keq në sondazhe i Presidentit Bush, i cili është republikan. Një nga pikat e forta të Obamës është dhe qëndrimi i tij i hershëm dhe i prerë kundër luftës në Irak. Ky qëndrim i dha atij avantazh në garën brenda partisë dhe kundër Hillary Clinton-it. Lufta në Irak është shumë anti-popullore në SHBA dhe kjo favorizon Obamën. Republikanët, nga ana tjetër, e sulmojnë Obamën për demagogji duke thënë se ai është kundër luftës, por pranon para nga terroristë islamikë, duke marrë shembull ndihmën që i dha atij në blerjen e shtëpisë 1 milion dollarësh një i dënuar për korrupsion dhe dyshuar si i lidhur me sulmet e 11 shtatorit. Obama sulmohet si një njeri me prirje ekstremiste të majta dhe me shoqëri të rrezikshme. Prifti i kishës së tij u kap në kamera duke predikuar dhe mallkuar Amerikën në një meshë të zakonshme. Obama është distancuar nga prifti dhe miku që e financoi për shtëpinë, por amerikanët thonë që ai u distancua për hir të fushatës. Obama u distancua dhe nga një miku i tij këngëtar rap, i cili bëri një këngë ku thoshte se Obama do ta lyej të zezë Shtëpinë e Bardhë pasi të fitojë. Të gjithë analistët thonë se kjo fushatë është një referendum për Obamën. Nuk do votohet Obama – McCain në SHBA, por njerëzit do votojnë nëse pranojnë Obamën president. Nëse jo, atëherë McCain bëhet president, sepse njerëzit nuk donin Obamën. Është e çuditshme kur sheh se Obamën e mbështet 80% e mediave në SHBA, dhe në mënyrë të hapur. Me Obamën janë televizionet ABC, NBC, MSNBC, CNN etj., kurse me McCain vetëm FOX. Mbështetja mediatike e jashtëzakonshme për Obamën rezulton dhe si reagim kundër presidentit Bush.
Megjithatë kandidati republikan John McCain është po aq dinjitoz sa dhe kundërshtari i tij. McCain është një njeri i arsimuar me arsim ushtarak, ashtu si gjyshi dhe babai i tij. Ai që 19 vjeç i ka shërbyer Amerikës në ushtri. McCain është pilot veteran dhe ish i burgosur lufte në Vietnam, ku kaloi 5 vjet në burgim. Ai ka 26 vjet senator në Senatin amerikan në Uashington. McCain është një konservator liberal në gjithë historinë e tij. Në 26 vjet karrierë politike askush nuk ka gjetur një shembull të keq për ta kritikuar McCain. Ai është 72 vjeç dhe nëse do zgjidhet president, do jetë presidenti në mandat të parë më i vjetri në historinë e Amerikës. Përveç moshës së madhe, McCain ka çdo cilësi që i duhet një presidenti në SHBA. Ai njeh politikën e brendshme dhe të jashtme, njeh ushtrinë në kohë paqe dhe lufte.  Disavantazhi më i madh i McCain është mosha e tij dhe fakti që është republikan si George Bush. Me zgjedhjen e Sarah Palin, 43 vjeçe si kandidate për zv.presidente, ai tenton të sfumojë shqetësimin e amerikanëve për moshën e tij, por dhe të tërheqë votat e votueseve femra, mbështetëse të Hillary Clinton-it. John McCain ka deklaruar se Amerika është më keq sot se 4 vjet më parë, duke kritikuar dhe u distancuar kështu nga presidenti Bush.  Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk merr urdhra nga partia e tij, duke dashur gjithashtu të distancohet nga Partia Republikane e George Bush-it. McCain ka 7 fëmijë, 2 nga martesa e parë, 4 nga e dyta dhe 1 të adoptuar. Fëmija e adoptuar ju dha kësaj familje nga Nënë Tereza në Kalkutë. Gruaja e McCain është e pasur se ka trashëguar të drejtën e shpërndarjes së birrës “Budweiser” në një pjesë të SHBA. Pasuria e tyre është e madhe aq sa McCain nuk mund t’i përgjigjej një pyetje të gazetarëve se sa shtëpi kishte.  McCain tha se do pyeste stafin, duke treguar se nuk e dinte sa shtëpi kishte. Në fakt, ai ka 7 shtëpi, një fakt që Obama e përdori për të treguar që McCain është i pasur dhe jashtë realitetit amerikan. McCain iu përgjigj Obamës se shtëpitë e tij janë blerë me punë të ndershme, dhe nuk janë blerë me ndihmë nga kriminelë të dënuar nga drejtësia amerikane, si në rastin e shtëpisë së tij.
Gara për Shtëpinë e Bardhë është shumë interesante ta ndjekësh dhe ka qenë për mua një kënaqësi ta ndjek nga afër këtë verë. Në këtë garë janë harxhuar qindra milion dollarë. Hedhja e parasë kaq në sasi të madhe bën që mesazhi të shtrembërohet dhe ndonjëherë të vij jo i saktë tek votuesi. Obama dhe McCain do harxhojnë secili rreth 500 milionë dollarë vetëm në javët që kanë mbetur deri në 4 nëntor. Kjo sasi parash është e paimagjinueshme për impaktin që jep. Disa thonë se në SHBA presidentin e zgjedhin paratë që harxhohen. Deri tani Obama ka shpenzuar mbase 2-fishin e parave të McCain dhe ka udhëhequr në sondazhe me 2%, por vetëm 3 ditët e fundit McCain ka dalë përpara 3%. Por sondazhet kombëtare nuk janë gjithmonë tregtues të drejtë, sepse në SHBA votohet me shtete dhe jo në garë kombëtare. Kush fiton një shtet dhe me 1 votë diferencë merr gjithë votat elektorale të atij shteti, dhe kandidati tjetër nuk merr asgjë në atë shtet. Gara në SHBA bëhet shtet më shtet, prandaj duhen kaq shumë para, sepse reklamat dhe shtabet elektorale janë të veçanta për secilin shtet. Shtetet kanë vota elektorale sipas madhësisë së tyre. Gara mes McCain dhe Obama do të ndahet në pak shtete, mbase në Pensilvania, Ohio, Idaho, Colorado, Florida, Michigan, Virginia apo New Mexico. Këto janë shtete që lëvizin nga një kandidat tek tjetri, kurse shtetet e tjerë janë tradicionalisht demokratë apo republikanë.
Me këtë sistem zgjedhor nuk besoj se vota e shqiptarëve në SHBA mund të ndikojë shumë në zgjedhjen e presidentit, mbase pak në Michigan. Kurse në përgjithësi garën do ta vendosë një qëndrim i cili deri tani nuk kuptohet qartë nga sondazhet në Amerikë. A do votojnë amerikanët e bardhë për një president të zi, dhe çfarë roli do të ketë raca në votën e tyre? Askush deri tani nuk është në gjendje ta thotë këtë me siguri. Kjo do të jetë dhe çështja e cila do vendosë presidentin në SHBA.
Ajo që me ka habitur mua në këtë fushatë në SHBA ka qenë mungesa e debatit direkt deri tani mes kandidateve për çështjet që shqetësojnë Amerikën: ekonomia, energjia, arsimi, shëndetësia, etj. Dhe mbi të gjitha jam habitur me sasinë e madhe të anti-reklamës që përdoret hapur nëpër spote televizive. Një kandidat sulmon një kandidat tjetër çdo ditë në gjithë televizionet dhe radiot amerikane, duke i dhënë më shumë rëndësi karakterit dhe personalitet të njëri-tjetrit sesa çështjeve shqetësuese të Amerikës.
Shqiptarëve mund t’i pëlqejë kjo betejë përbaltje, sepse janë mësuar mirë me këtë taktikë në Shqipëri. Shpresoj që ata në Amerikë të mos vendosin se për kë do votojnë nga sasia e baltës që hidhet mbi kandidatët, por nga programet e tyre për Amerikën e Botën, dhe qëndrimet e tyre për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.  Në këtë fushë Obama duhet të lexohet dhe kuptohet, sidomos me dyshimet që ngre në librin e tij të fundit “Audacity of Hope”, ku hidhte pikëpyetje për politikën e jashtme të SHBA duke pyetur: “Pse Bosnja dhe jo Darfur, pse Irak dhe jo Burma?”. Duket se Obama është më shumë pro-afrikan. Obama në librin e tij është për një politikë të fokusuar brenda në SHBA dhe për një rol më të tërhequr nga Bota. Edhe kjo do luajë rol në votën e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA, sigurisht të atyre që do votojnë dhe janë të informuar. 
Do jetë shumë interesante të shohim si do përfundojë kjo garë. Unë besoj se në ditët që vijnë do kemi zhvillime të tjera të cilat do ndikojnë në rezultat. Shumë analistë amerikanë thonë që kjo garë do jetë e hapur, pa fitues të sigurt, deri natën e 3 nëntorit, pra deri një ditë para votimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›