Marrëdhëniet delikate të Ahmet Zogut me austrohungarezët gjatë Luftës së parë Botërore
Vijon nga numri i kaluar
Por armiqtë e kombit shqiptar parashikonin pengesa të ndryshme në formimin e Shqipërisë dhe si argument kryesor paraqisnin
pamundësinë që katolikë, muslimanë dhe ortodoksë të bashkëpunonin - duke i ngatërruar qëllimisht fetë me kombësinë. Zogu me
atë pjekuri gjykimi që zbulonte në të gjenialitetin e një burri shteti të pjekur parakohe, u mor seriozisht me akuzën por
dëshironte ta përgënjeshtronte atë me fakte, duke vendosur në bazë të programit të tij politik oksidentalizimin total të
popullit shqiptar.
Kështu ky ka qenë pikërisht argumeti krysor i ligjëratës së paharrueshme që Ai mbajti me rastin e hapjes së kuvendit në
Vlorë.
Më vonë, gjatë bashkëpunimit tonë dashamirës, ndonëse ai ishte më i ri se unë, shpesh herë dhe me afsh të madh më ka
këshilluar që në tërë veprimtarinë time të frymëzohesha vetëm drejt zhdukjes së helmit të mosmarrëveshjeve fetare - përhapur
këto me marifet nga armiqtë e Shqipërisë - dhe të konsolidoja gjithmonë ndjenjën kombëtare jashtë sferës së çdo besimi, sepse
feja duhet të jetë trashëgimi personale dhe familjare dhe kurrë argument politik.
Po le ta përmbyllim këtë parantezë.
Kemi ngjarje tashmë të njohura si Konferenca e Londrës më 1913, mbështetja me partizani që Rusia dhe Franca u jepnin
padrejtësisht shteteve ballkanike, kundër Shqipërisë, deri në atë pikë saqë këtyer u ishte rritur mendja dhe arritën të mos e
çanin kokën fare se ç'ishte biseduar në Londër. Sjellja jo shumë e qartë e Anglisë, vija e drejtë dhe krenare e Perandorisë
Austro-Hungareze si dhe mbështetja e dhënë nga Italia e Gjermania, të cilat kishin mbrojtur të tëra sëbahsku të drejtën për
ta mbajtur lart dhe të panjollosur vendimin e Fuqive të Mëdha, sado që qëllimi sekret i disa personaliteteve vjeneze mund të
mos ishte dhe aq i pakurrfarë interesi, sikundër paraqitej në sipërfaqe.
Dihet nga ana tjetër se Shqipërinë e vogël dhe të cunguar nuk e lanë të qetë dhe për disa vite të tjera duke sulmuar
vazhdimisht dhe duke e sfilitur me zjarr e me hekur, pa asnjë mëshirë, me ose pa kurfarë të drejte.
Nuk po i zë ngojesh këto me qëllim që të ndez mëri dhe mllefe, apo dhe që të turbulloj atmosferën e qetë që e rrethon sot nga
çdo anë Mbetërinë e Shqiptarëve, por sepse e ndjej për detyrë që të vërtetoj dhe të pranohet se Ahmet Zogu në kohëra kaq të
rrezikshme ka qenë i zoti të qendronte në krye të patriotëve dhe ka qenë i vetmi udhëheqës i rëndësishëm - madje krejtësisht
i vetmi - që ka ditur të ngrihej përmbi dhe përtej ambicieve të vockla personale dhe u tregua gjithmonë i gatshëm për të bërë
sakrificat më të mëdha për interesat e larta të kombit.
Ndërkohë që një përbetim i tmerrshëm i Fuqive të Mëdha e të Vogla po e shtrëngonte në një qark hekuri e zjarri kombin
shqiptar, shumë krerë shqiptarë grindeshin në atë kohë njëri me tjetrin për përparësi apo këshillonin një qëndrim neutral e
një jetë të qetë. POr Zogu, burrë besnik i patundur ndaj fatit të atdheut, luftonte porsi luan dhe gjindej në të gjitha
frontet në vijë të parë atje ku ishte rreziku më i madh dhe shembulli për të gjithë.
Nuk është rasti këtu që ta ndjekim veprën e tij prej lideri ushtarak dhe politik, sepse ky argument atëherë do të kërkonte
një trajtim më vete. Megjithatë më duket e nevojshme që të ngulit në këto shënime biografike faktin se ai nuk e la veten
kurrë që të joshej nga qeveritë e huaja dhe ta bënin për vete, dhe as që të ndikohej nga ndonjë farefisni ambicioze, pa u
frymëzuar vetëm e vetëm nga jo çka mund të siguronte të ardhmen e atdheut.
Po ashtu Ai është treguar fisnikërisht i sinqertë me Princ Wiedin, të cilin Fuqitë e Mëdha e patën hipur në fronin e
Shqipërisë. Por sovrani i atëhershëm i Shqipërisë - i cili, ndonëse pati mbetur me përshtypje shumë të mira për intelektin e
fuqishëm të Atij që për fat do t'ia merrte fronin e dhuruar aq pa menduar prej Fuqive të Mëdha, - nuk pati intuitën të
kuptonte se kush ishte Zogu, dhe nuk pati në krah gjithashtu as dikë që do të dinte t'ia mbulonte boshllëqet që ai shfaqte në
të kuptuarit e gjërave.
Në qoftë se Wiedi do të ishte mbështetur në kohën e duhur në fuqinë e krahut dhe të mendjes së Udhëheqësit 18-vjeçar
shqiptar, ai do ta kishte shpëtuar, në mos tjetër... procedurën e likuidimit të mbretërisë së tij efemere; dhe nuk do t'ia
kishte mbathur pa kot-më-kot; dhe, në rast se do të ishte i detyruar të largohej para forcave më të shumta të ndonjërës prej
ushtrive ndërluftuese, ai nuk do ta kishte përcjellë në botën e qytetëruar dyshimin se atë e kishin braktisur tashmë
nacionalistët shqiptarë.
Nëse Princ Wiedi, kur zbriti fillimisht në Durrës, do t'u kishte besuar forcave ushtarake të Zogut, vullnetarëve të Shkodrës
dhe të Kosovës, të paktën do të kishte arritur të shmangte vëllavrasjen ndërmjet shqiptarëve, edhepse në fakt nuk do të
kishte siguruar dinastinë e vet, për shkak se fati i saj ishte i lidhur ngushtë me atë të Austro-Hungarisë, ndërsa ishte
neutral ndaj Gjermanisë.
Zogu bëri gjithë çka mundi për të shmangur këtë. Ai u përball vetëm me ata që mohonin atdheun.
III.
Zogu dhe Austria
Me ardhjen e Austrisë në Shqipëri, Zogu vuri re se numri i armiqve të tij ishte shtuar dhe, se me numrin, ai pa se ishte
zmadhuar hatashëm dhe fuqia e tyre.
Ai donte t'i bashkonte patriotët, të koordinonte përpjekjet e tyre, të bënte që kurrë këmba e huaj të mos hynte si pushtuese
në tokën shqiptare dhe pikërisht për këtë arsye ai fluturonte kudo që hapej luftë dhe nuk përtonte t'u kërkonte të gjithë
atyre që mund të ishin të dobishëm, që të lëviznin, të organizoheshin dhe të vepronin.
Hyrja e Austrisë në Shqipëri qe përshëndetur me shumë simpati nga shumë shqiptarë. Dhe, për shumë arsye, në këtë mes s'ka
asgjë për t'u habitur. Pikësëpari, gjendja ishte tmerrësisht tragjike, gjithandej, si shkak i veprimit të armiqve të jashtëm
dhe të mosmarrëveshjeve të brendshme. Nga ana tjetër Austria kishte ditur të pregatiste ndërmjet nesh një opinion publik në
favor të saj, përmjet një pune të vazhdueshme, të durueshme dhe të zgjuar, duke zhvilluar metodikisht një procedurë të
përshtatshme, posaçërisht për kushtet shoqërore të vendit.
Kështuqë, kur në janar të vitit 1916, trupat austriake kapërcyen kufirin tonë e ranë në Shkodër duke dëbuar s'andejmi Malin e
Zi, është e natyrshme se atyre iu bënë pritjet më të gëzueshme, si rezultat i një pune të mëparshme të bërë në atë mjedis,
por edhe se - ndonëse pa dashur - malazezët kishin punuar në favor të tyre (austriakëve - shën. i red.), duke e egërsuar
shpirtin e popullatës, e cila, në vend të tyre do të kishte preferuar vetë djallin.
Po dhe kjo nuk mjafton.
August Kral, konsulli austriak në Shkodër që i kishte studiuar mirë si njerëzit ashtu dhe gjërat, duke pregatitur ndofta
shumë gjëra, hyri në Shkodër bashkë me trupat dhe themeloi një organizatë civile mjaft të dobishme. Ai hapi shkolla shqipe
edhe matanë kufijve të 1913-ës, organizon një xhandarmëri kombëtare, mori masa mbrojtëse në favor të bujqësisë dhe të
zooteknisë dhe i kushtoi madje shumë kujdes mbrojtjes së kulteve fetare.
Po amà duhet thënë dhe se puna e ish konsullit shkatërrohej dhe zhvleftësohej nga sjellja e ushtarëve, shumë herë e
papërshtatshme dhe e ashpër, po sidoqoftë shumë e rreptë, ndërsa nga ana e jashtme paraqitej si respektuese e.... ligjeve dhe
e rregullave.
Dhe nga kjo mungesë uniteti të veprimit, lindën shumë të këqija dhe më kryesorja e këtyre të këqijave qe fakti se veprimtaria
konsullore e Austrisë merrej vesh nga shqiptarët nëpërmjet zhvleftësimit që i bënin kësaj pune ushtarakët.
Kështuqë, kur Zogut i erdhi nga ana e August Kralit ftesa për t'u nisur që nga Kruja bashkë me besnikët e tij dhe që të
bashkohej me trupat austriake, nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme të këtyre të fundit, Ai e nuhati se kishte ardhur koha
që të bënte një "buon viso a cattivo gioco" (t'i buzëqeshte së keqes) me qëllimin e vetëm që të arrinte të krijonte një
bashkëpunim dinjitoz e që do të jepte në këtë mënyrë kontributin shqiptar si aleat ose nën çfarëdo forme tjetër që të mos
mund të cënohej dekori i interesave kombëtare.
Kritika e historisë, kur të vijë koha për ta vlerësuar atë projekt duke e krahasuar atë me situatën aq tragjike, nuk do
mundet kurrë që të mos jetë dakord me ne se ky qëndrim ka qenë kryesisht konceptimi i një burri-shteti gjenial dhe udhëheqësi
me guxim të jashtëzakonshëm.
Dhe, nga të menduarit shpejt, - në aksion: Ahmet Zogu mblodhi trimat e tij besnikë, të cilët tashmë po e ndienin se po
bëheshin veteranë, dhe kështu me hap të sforcuar Ai ia behu mbi Krujë ku, para se të mbërrinte në Kalanë e Skënderbeut, mësoi
se aty kishin sosur më përpara austriakët... atëherë ai iu drejtua Tiranës, por - fatkeqësi! - edhe në kryeqytetin aktual,
kishin sosur tashmë austriakët!
Po udhëheqësi ynë i palodhshëm nuk e humbi kurajon, ndërsa vullnetarët e tij ishin të lodhur, thuajse të mbaruar fare, nuk iu
nënshtrua pra fatit të keq dhe u nis për në Durrës, ku hyri triumfalisht më 2 shkurt 1916.
Ai nuk u ndal në mes të një populli në festë që ziente në mes entuziazmit, por vrapoi në Pallatin, ku kishte pasë qëndruar
pak më parë Princ Wiedi dhe, bash me dorë të vet ngre sërish flamurin kombëtar, dhe i telefonoi popullit të Elbasanit me një
stil vërtet cezarial:
"Sot e vendosëm sërish flamurin në Pallatin e Mbretit, në Durrës. Kthehem në Shijak. Nesër nisem për Elbasan. Trupat të
presin arritjen tonë atje."
Dhe u vu në lëvizje.
Ngado që kalonte, pritje të mëdha dhe entuziaste i bëheshin. Ai ngrinte kudo flamurin kombëtar: Atdheu - është e vërtetë -
ishte katandisur në një korridor në formë gjysmë rrethi, nga Durrësi në Elbasan, përmes Kavajës e Peqinit: po një korridor i
tillë quhej Atdhe sidoqoftë!
Vijon në numrin e ardhshëm
Përktheu nga italishtja: Beqir Ajazi
Përgatiti për botim: Neritan Kolgjini