E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush ndihmon Berishën?

Edmond Arizaj 

Prej kohësh mes dy partive të mëdha të opozitës, LSI dhe PS, ka nisur një luftë e ashpër deklaratash, emëruesi i përbashkët i të cilave është Berisha. Secila palë akuzon tjetrën se me veprimet apo mosveprimet e saj, është duke ndihmuar qëndrimin edhe më gjatë në pushtet të kryeministrit. I trembur edhe nga një katërvjeçar tjetër, nën regjimin despotik të Berishës, elektorati shqiptar, sidomos ai i majtë, i çoroditur vazhdon të peshojë se kush në fakt po i shërben pushtetit të Berishës, pavarësisht se të dyja partitë pretendojnë largimin e tij nga pushteti.
Në mënyrë të përsëritur, eksponentë të njohur e të panjohur në Partinë Socialiste, vijojnë të përsërisin mërzitshëm të njëjtat shprehje të kryetarit Rama në adresë të LSI dhe Metës; politikë e vjetër, miku im, Iliri, shprehim keqardhjen, patericë e Berishës, barka e fundit e shpëtimit etj., si këto. Argumenti i vetëm i sjellë nga Rama dhe Partia Socialiste, është kundërshtimi nga ana e LSI për t’u bërë pjesë e koalicionit të përbërë me PS-në. Kjo sipas socialistëve çon ujë në mullirin e Berishës. Deri tani, nga ana e Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, nuk ka ndonjë argument tjetër për të sulmuar Metën dhe LSI, duke përjashtuar këtu kambanën e përzishme për të majtën, të zgjedhjeve të 2005-ës, dhe duke harruar, apo bërë sikur, zgjedhjet e 2007-ës. Eshtë e kuptueshme që thirrja e Ramës, që LSI t’i bashkohet koalicionit, nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje tepër vjetruar për elektoratin e majtë; ne i ftuam, ata s’pranuan, ata janë tradhtarë. Kjo formulë ndoshta mund të kishte vlerë, nëse PS-ja përveç ftesës, i bashkëngjiste edhe premtimin se ajo do të këmbëngulte për ndryshime në Kodin Zgjedhor, që votat e secilës parti të mos shkonin dëm.
Ndërsa nga ana e saj, LSI dhe Meta kanë një varg argumentesh për të akuzuar Ramën si ndihmës i pushtetit të Berishës dhe vetë Berishës si person. Prishja e marrëveshjes me aleatët pas zgjedhjeve lokale, apatia pas ngjarjes së Gërdecit nga ana e PS-së, ndryshimi i Kushtetutës që fuqizon Berishën, me anë të bashkëpunimit PS-PD, pazaret e përfolura për ndërtimet në Tiranë, Kodi Zgjedhor që duket se nuk do të ketë korrigjimin kombëtar, duke legjitimuar në këtë mënyrë marrëveshjen PD-PS kundër LSI, ftesa e dyshimtë e Ramës për koalicion, në një kohë që askush nga PS-ja nuk guxon të shpjegojë marrëveshjen e 21 prillit dhe kërkesat e saj për kodin e ri.
Por mbi të gjitha këto, Rama është duke krijuar një borxh të jashtëzakonshëm me socialistët. I ardhur në krye të PS-së me sloganet e bashkimit të të gjithë së majtës, me pretendimin e arsyeshëm se e majta do të vijë në pushtet në zgjedhjet e radhës, tashmë kryetari i PS-së rrezikon pretendimin e parë, dhe për pasojë edhe të dytin, duke i sjellë opozitës një tjetër humbje dhe të majtëve katër vjet të tjera opozitë. Dhe ky rrezik vjen ndoshta nga një kapriço e Ramës, i cili siç duken të gjitha gjasat, dhe siç është duke vepruar, po rrezikon gjithçka për gjithçka. Pra, politika e tij, nuk është të gjejë rrugët se si mund ta sjellë bindshëm të majtën në pushtet, por që ai vetë të jetë pushteti, në të kundërt… le ta marrë lumi. Ky në fakt është edhe borxhi i madh që po krijon Rama me socialistët e tij dhe akoma më gjerë. Sepse askush prej tyre nuk mund ta pranojë një politikë të tillë jo elastike, e cila nëse nuk merr gjithçka, nuk të jep asgjë.
Politika gjithçka, ose asgjë e Ramës, mund të jetë një bast i tij i vënë me kush e di se kë, apo me vetë veten. Por nuk mund të jetë një bast i frytshëm për mijëra anëtarë dhe simpatizantë të së majtës, por dhe më gjerë, të cilët nuk mund ta përballojnë edhe një katërvjeçar rrënues me Berishën. Rama edhe nëse humbet zgjedhjet e 2009-ës, do të vijojë të jetë në pushtet edhe për dy vjet të tjera dhe së bashku me të edhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mijëra shqiptarë, që presin rokadën e pushteteve për të dalë nga qerthulli i skamjes ku e futi Berisha. Ata nuk luajnë dot, o gjithçka, o asgjë. Ata kërkojnë veç diçka; shtet normal, ku të punojnë dhe të jetojnë.
Si për LSI-në, ashtu dhe për socialistët duhet të jetë e qartë se përpjekjet e Ramës nuk janë vetëm afatshkurtra, por edhe afatmesme e afatgjata. Goditjet në shpinë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, stoicizmi për të mos bërë korrigjim kombëtar në Kodin Zgjedhor, opozitarizmi me Berishën për koçanët e misrit apo për gjobëzën e ndonjë televizioni, duke “harruar” një mijë e një të zeza të tjera të kryeministrit, nxjerrin në dritë veç një të vërtetë; Rama as që është i interesuar për një bashkim parazgjedhor të së majtës, por përveç kësaj, ai mund të bëjë therror të gjithë të majtën, duke luftuar që edhe pas zgjedhjeve të mos ketë një aleancë me LSI-në. Në përpjekje për të shkatërruar aleatët natyralë, Rama harron se Berisha nuk të fal kurrë pushtet. Edhe kur kredencialet e tij politike janë tek e kuqja, Berisha di si ti karikojë të vetët, e përveç kësaj di dhe si t’i kthejë zgjedhjet në favor të tij, aq më tepër kur përballë do të ketë dy parti kundërshtare me të, por edhe kundërshtare mes tyre, që duan t’i “hanë kokën” njëra-tjetrës edhe në komisionet zgjedhore. Kjo luftë mes llojit e iniciuar dhe frymëzuar nga Rama, në një kohë që ai duhet të gjente kanalet e bashkëpunimit sado të ngushta të ishin ato, e bën Berishën të buzëqeshë në çdo prerje shiriti të asgjësë së ndërtuar. 
Politika e Ramës, gjithçka, ose asgjë, mund të jetë në fakt arma më e fortë e LSI në betejën e brendshme mes së majtës. Sepse kjo politikë, në fakt, është e vetmja që ndihmon Berishën për të ëndërruar pushtetin edhe katër vjet të tjera, në një kohë kur duhej larguar nga pushteti një vit para përfundimit të mandatit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›